KMDLNj: Kosova 10% taksë doganore Serbisë, Serbia 100% bllokadë politike Kosovës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën doganore prej 10% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.Reagimi i plotë:“Qeveria e Kosovës mori vendim që mallrat nga Serbia dhe Bosnja të ngarkohen me një taksë doganore prej 10% e që nxiti reagim të menjëhershëm të Serbisë , Bosnjes , Goran Rakiqit të Mitrovicës së okupuar dhe , sipas një automatizmi të ashtëzuar , edhe të burokratëve të BE-së të cilët , jo vetëm në këtë rast zbatojnë standarde të dyfishta , kryesisht në dëm të Kosovës dhe në mbrojtje të Serbisë.

Mallrat nga Serbia e kanë vërshuar tregun kosovar dhe nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli sikur që skajshëm e kanë rritur informalitetin në ekonominë , edhe ashtu të brishtë të Kosovës. Shumë biznese në Kosovë , perandorinë e tyre biznesore e kanë ngritur duke importuar , pa kritere dhe standarde , mallra nga Serbia sikur edhe duke u përkrahur financiarisht nga tajkunët serbë që i kanë pastruar paratë e pista përmes tyre në Kosovë.Shumë biznese të Serbisë në Kosovë kanë shkaktuar evazion fiskal duke u ikur detyrimeve doganore përmes fshehjes apo mospagesës së taksave. Në këtë mënyrë kanë dëmtuar shumë buxhetin e Kosovës dhe prodhuesit vendorë duke i bërë jokonkurues , jo vetëm në tregjet ndërkombëtare por edhe ato vendore. Vendosja e taksës doganore prej 10% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja është një veprim simbolik , afatshkurtër dhe më shumë një bllof politik për faktin se ndaj Serbisë dhe Bosnjes është dashur të vendosen taksa në nivel që Serbia dhe Bosnja e dëmtojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe kjo është dashur të vendoset që nga koha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës kur Serbia nisi një luftë të hapur për shkatërrimin e Kosovës , si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në ate të brendshëm.

Bashkësia ndërkombëtare është treguar e padrejtë ndaj Kosovës duke e lejuar Serbinë të ndërhyjë në mënyrë flagrante në punët e brendshme të një shteti , pavarësinë e së cilit e kanë njohur pjesa dërmuese e këtyre shteteve. BE po përdorë stnadarde të dyfishta dhe është dyfytyrëshe edhe sa i përket liberalizimit të vizave duke vendosur kushte shtesë për Kosovën e të cilat nuk ishin kusht për asnjë shtet të Ballkanit dhe duke e shtyrë liberalizimin e vizave drejt kushtëzimit për lëshime politike që përmbajtësisht e dëmtojnë Kosovën.Kushtëzimi , si mjet për arritje të qëllimeve politike dhe të tjera është vepër penale e cila sanksionohet me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare. BE , duke kushtëzuar politikën kosovare t’i nënshtrohet bisedimeve që e dëmtojnë Kosovën , i ka futur qytetarët e Kosovës në geto duke ua mohuar në këtë mënyrë të drejtën elementare të njeriut , lirinë e lëvizjes. Me një qëndrim të qartë të nënshtrimit të disa bizneseve të mëdha në Kosovë , intereseve ekonomike por edhe politike të Serbisë , e kanë shndërruar Kosovën në koloni ekonomike të Serbisë , të ndihmuar nga burokratë të BE të cilat CEFT-an e interpretojnë sipas standardeve të tyre , duke u bërë aleatë në rikolonizimin e Kosovës.

BE , me lojën e pamoralshme dhe me standarde të dyfishta , skajshmërisht po i dhunon të drejtat e njeriut të qytetarëve të Kosovës duke i futur në një rrugë njëkahëshe dhe pa dalje. Biznesmenët kosovarë që e përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin ekonomik të Serbisë në Kosovë pashmangshëm se kanë përkrahje politike , ndryshe do të ipnin llogari për dëmet që po i bëjnë ekonomisë kosovare dhe prodhuesve vendorë. Këta biznesmenë janë të pamoralshëm , të ndyrë dhe të dëmshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj.Serbia është duke zhvilluar një fushatë shkatërrimtare kundër Kosovës në planin politik , diplomatik , sportiv , ekonomik , kulturorë kurse BE nuk e ndërmerrë asnjë veprim për ta detyruar t’i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Serbia e vështirëson lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës , në rast kur ka mundësi e pamundëson ate sikur që arreston qytetarë të Kosovës me akuza të sajuara dhe të shpifura dhe se nuk ka asnjë reagim nga BE e cila presionin dhe kushtëzimin e drejton kundër Kosovës. Fushata e fundit e Serbisë për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet që e kanë njohur më parë është ndërhyrje flagrante e cila nuk po gjykohet nga shtetet e BE-së dhe me këtë po kontribuojnë në tensionimin e situatës , deri në shpërthim të dhunës e cila lehtësisht mund të parashihet.

BE e ka luajtur një rol jashtëzakonisht dyfytyrësh sidomos në ndarjen e Mitrovicës e në veçanti që nuk po e lejon hapjen e Urës mbi lumin Ibër , derisa të përfundojë përfundimi i krijimit të një realiteti të ri etnik dhe politik në këtë pjesë të okupuar të Kosovës.BE e ka legalizuar pastrimin etnik të veriut nga shqiptarët , e ka penguar ndërtimin e shtëpive të rrënuara të shqiptarëve sikur që e ka përkrahur kolonizimin e kësaj pjese përmes ndërtimit të shtëpive vetëm për serbë në Lagjen Kodra e Diellit duke penguar institucionet e Kosovës të vendosin një rregull urbanistik atje. Aktualisht nuk ka vend më të dhunuar në Evropë se Kosova sa i përket lirisë së lëvizjes dhe zhvillimit ekonomik dhe se kjo bëhet nga ato vende që janë bartës të këtyre vlerave. Deri në kohën kur Serbia fillon të sillet si një vend normal , Kosova duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për mbrojtje të integritetit territorial dhe shtrirje të sovranitetit , në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare . Kosova duhet të sillet përballë Serbisë sipas parimit të respektimit të reciprocitetit që i rregullon raportet ndërshtetërore në të gjitha vendet e botës.

Pse duhet Kosova të bëjë përjashtime në vazhdimësi duke e dëmtuar veten ?Dhe pse duhet t’u besojë dhe t’iu nënshtrohet intereseve personale dhe klaneve brenda vet BE duke e dëmtuar fort Kosovën dhe qytetarët e saj ? Pse duhet të bisedojë me Serbinë për çështje për të cilat nuk bisedon asnjë shtet normal , i pavarur dhe sovran , për çështje të rregullimit të brendshëm territorial dhe të kufijve ?! Vetdijësimi i qytetarëve , po të ishte në nivelin e duhur dhe në përputhje me intereset e vendit do ta bënin të parëndësishëm taksën doganore prej 10% vënë Serbisë dhe Bosnjes duke ua mohuar blerjen e mallit nga këto shtete në shkallën 100% derisa këto shtete të sillen në këtë mënyrë siç po sillen tani.Në raport me një shtet që 100% është disponuar armiqësisht ndaj jush , patriotizmi ekonomik do t’i paraprinte dhe do ta kushtëzonte patriotizmin politik. Merreni shembullin e Izraelit pas viteve 1948 kur e shpalli pavarësinë , i blinte prodhimet vendore edhe nëse ishin pesëfish më të shtrenjta se të tjerat . Çdo shtet normal , duke mbrojtur prodhuesit e vendit dhe prodhimet vendore , krijon kushte për një zhvillim të mirëfillt ekonomik dhe mundëson hapje të vendeve të reja të punës . Vetëm një shtet që favorizon shoqërinë prodhuese ka perspektivë të qartë të zhvillimit ekonomik kurse, aktualisht shoqëria kosovare është konsumuese (kryesisht e mallrave nga Serbia , Maqedonia dhe Turqia) prandaj nuk kemi zhvillim ekonomik të mjaftueshëm apo garantues të ngritjes së mirëqenies së jetës së qytetarëve.Liria e lëvizjes dhe qarkullimi i lirë i mallrave dhe ideve , si të drejta elementare të njeriut dhe si garantues të zhvillimit ekonomik në Kosovë po dhunohen skajshmërisht dhe brutalisht nga Serbia , e ndihmuar nga një pjesë e burokracisë së vendeve të BE – së , biznismenët e kriminalizuar kosovarë në shërbim të Serbisë dhe një pjesë , gjithashtu e kriminalizuar e politikës vendore. Prandaj , KMDLNj propozon që kjo taksë të rritet në masën , së paku 50% sikur që të zbatohet 100% reciprociteti me Serbinë dhe për këtë besoj se do ta kenë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës , pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë”.