OSBE në Gjilan organizon punëtori për ngritjen e bashkëpunimit me auditorin e brendshëm

Qendra rajonale e OSBE në Gjilan, ka organizuar sot punëtori e cila kishte qëllim bashkëpunimin dhe takimet më të shpeshta të Njësisë së Auditimit të Brendshëm me drejtoritë komunale.

Në këtë punëtori është thënë se Komuna e Gjilanit në përgjithësi ka një stabilitet të përgjithshëm dhe njëkohësisht bashkëpunim aktiv me auditorin e brendshëm, i cili edhe sot është konfirmuar se është një mbështetës i Komunës dhe paralajmërues për gabimet eventuale që mund të bëhen gjatë procesit.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se auditori i brendshëm është duke bërë një punë shumë të madhe dhe gjendja çdo ditë është duke u përmirësuar në të gjitha drejtoritë.

Nënkryetari Ismajli në të njëjtën kohë ka potencuar vendosmërinë e ekzekutivit për takime më të shpeshta me auditorin, për të qenë gjithnjë e në rritje performanca e Komunës, pastaj për të shënuar stabilitet në të hyrat vetanake, në procedura të prokurimit, respektimin të kontratave e deri të përmbyllja e një projekti të cilin e realizon Komuna.

Udhëheqësi i kësaj Njësie, Sherafedin Latifi, ka bërë një përmbledhje të gjendjes së përgjithshme në Komunën e Gjilanit për vitin 2018, duke spikatur pikat e ndryshme ku duhet të shënohen përmirësime, gjendjen e mirë në të cilën është Gjilani në përgjithësi dhe njëkohësisht për të hartuar planifikimin, i cili, është në kuadër të kapaciteteve të Komunës dhe mundësisë së realizimit brenda vitit kalendarik.

Nga ana e tyre me pyetjet dhe interesimet e tyre janë paraqitur edhe drejtorët e drejtorive komunale të cilët varësisht nga natyra e punës kanë spikatur edhe nevojat e tyre për mbështetje, përmirësim dhe korrigjim përmes komunikimit më të shpeshtë me auditorin e brendshëm.