Për pushim të lehonisë kërkohet 70 % e pagës bazë

Shoqëria Civile ka kërkuar nga institucionet që pushimi i lehonisë të mbështetet nga shteti me një pagesë prej 70 përqind të pagës bazë, në gjashtë muajt e parë të pushimit, raporton KTV.

Kjo, sipas tyre, do të shërbente në rritjen e natalitetit. Iniciativa Kosovare për Stabilitet dhe Fondacioni Friedrich Ebert kanë thënë se propozimi i tyre përkohësisht do të jetë barrë për shtetin, por kjo vetëm deri në themelimin e fondit social.

Kosova është duke punuar në ndryshimin e pushimit të lehonisë.

Një pjesë e Shoqërisë Civile kërkon që pushimi prej 6 muajsh të mbetet i pandryshuar, porse të ndryshojë vetëm fakti se kush duhet ta paguajë atë.

Organizata Iniciativa Kosovare për Stabilitet dhe Fondacioni Friedrich Ebert, nëpërmjet një konference, kanë propozuar që pushimin e lehonisë prej 6 muajve ta paguajë qeveria, me 70% të rrogës bazë, me kufizim deri në 1 mijë euro.

Florina Duli nga IKS, ka thënë se gratë në sektorin privat asnjëherë nuk e shfrytëzojnë deri në fund pushimin e lehonisë që u takon dhe, sipas saj, nëse barra e pagesës bie mbi shtetin do të rritet numri i grave të punësuara.

Kjo pagesë, sipas Besa Luzhës, do të bartet përkohësisht te shteti, deri në krijimin e Fondit Social.

Për këtë kanë bërë të ditur se Shoqëria Civile po punon vazhdimisht në hartimin e legjislacionit që do të krijojë bazën për Fondin Social dhe në të cilin do të kontribuojë gjithë shoqëria.

Në anën tjetër, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka theksuar se janë në fazën e mbledhjes së ideve dhe se do të marrin më të mirën e propozuar nga të gjithë.

Porse, pajtohen me faktin se shteti duhet të caktojë dhe investojë në politikat nacionale, siç është rritja e natalitetit.

Sipas llogaritjes së shpenzimeve nga këto dy organizata, del që për këtë skemë sociale do të shpenzoheshin mesatarisht 19 milionë euro në vit.

Në këtë konferencë, gjithashtu, u diskutua edhe për skemat e pensioneve, ku u tha se ka shumë mangësi dhe se ligji aktual i rregullon vetëm disa kategori të veçanta.