FENIKSIMI i emërtimit “Intelektualët” më 1997

Shkruan: Nehat Osmani

Kur e kemi mendu emërtimin “Intelektualët”, më 1997, e kemi mendu të jetë i veçantë, i dallueshëm, përmbajtësor.

Nuk e kemi mendu vetëm për ata që ishim atëherë dhe vetëm për ata që janë tani. E kemi mendu për gjithë ata që para nesh e mbajtën frymën gjallë dhe për gjithë ata që pas jush do e bartin flakadanin nëpër breza tanë.
Nuk e kemi mendu vetëm për klubin futbollistik. E kemi mendu për gjitha klubet sportive, shoqatat kulturore, artistike që shndrisnin e flisnin shqip.

Nuk e kemi mendu vetëm për Gilanin, e kemi mendu për tërë Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën lindore, tërë mërgatën.
Kur e kemi mendu emërtimin “Intelektualët”, kemi mendu për rezistencën e sakrificën, për vuajtjen e dhembjen, për flijimin e viktimizimin, kemi mendu për lirinë.
Kur e kemi mendu emërtimin “Intelektualët”, kemi mendu për dashurinë e pasionin, guximin e besimin, për lojalitetin e përkushtimin. Jo vetëm ndaj një klubi, e kemi mendu për familjen, për kombin, për atdheun.
Kur e kemi mendu emërtimin “Intelektualët” kemi mendu për DRITËN.

Si një kupolë që kumbon, si një koloseum që jehon, si një zë që thërret.
Të hyjmë në te, të banojmë në te, të shtegtojmë rrugët nëpër te, të mbjellim fryte që do mbijnë mbi te. Ku bardhësia është paqja, ku kaltërsia është pastërtia, ku toka, ajri dhe qielli janë DRITA vet.

E menduam të veçantë, veçantitë rrezatonin nga Drita me historinë e saj, me traditën e saj, me kulturën e saj, me sukseset e saja.
E menduam të dallueshme, dallueshmërinë e shfaqët JU që klubit i dhatë shpirtin, i dhatë zërin, i dhatë formën, tifozllëkun e shndërruat në ligjërim dhe në guidë për të gjithë.
E menduam përmbajtësore, e përmbajtësinë gjurmuam në gjendjen shpirtërore të intelegjencies më 1947, të shndërruar në kauzë edhe të kastës intelektuale e sportive më 1997. E përmbushim edhe pas 2018-es, e begatojmë ditë më ditë, deri në vegim.
I lumtur që jetësuam këtë momentum historik bashkë me ajkën intelektuale e sportive të kohës dhe propozuesin e emërtimit, poetin Xhevat Latifi, krenar që kisha mundësinë të certifikoj këtë vision grandioz me AKADEMINË SOLEMNE TË 50 VJETORIT, të bekuar që në krah kishim njeriun që shënoi këtë epokë, Selami Osmanin.

Përjetësisht “INTELEKTUALËT”!