SBASHK-U NUK PRANON PAGA MË TË ULËTA SE SHOFERËT E MINISTRAVE

Sot ka filluar greva e përgjithshme në arsim, me ç’rast kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka përsëritur qëndrimin se nuk do të heqin dorë nga greva pa u rritur së paku për 30 përqind koeficienti i mësimdhënësve.

Gjatë vizitës në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, Jasharaj tha se mësimdhënësit assesi nuk do të pranojnë të paguhen më pak se shoferët e ministrave.

Jasharaj pranon se greva mund të jetë e dëmshme për nxënësit, por thotë se SBAShK-u nuk pati rrugëdalje tjetër. Njëherësh ai është shprehur i gatshëm që të takohet me Komisionin Parlamentar kurdo që caktohet një takim i tillë.

Kreu i SBAShK-ut ka thënë se tashmë kanë gjetur përkrahje edhe nga prindërit. Sipas tij, institucionet do të reagojnë vetëm nëse bëhen bashkë mësimdhënësit dhe prindërit.

Ndërkaq, Fetih Çitaku ka katër fëmijë në këtë shkollë. Edhe pse fëmijët e tij do të mbesin pa mësim për shkak të grevës, ai ka dalë që të mbështesë vendimin dhe kërkesat e SBAShK-ut.

Jasharaj ka sqaruar edhe deklaratat e tij lidhur me propozimin e ministrit Bedri Hamza për rritjen e buxhetit.

Përndryshe, SBAShK-u ka paralajmëruar që greva mund të zgjasë me muaj të tërë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.