Vetëvendosje në Gjilan janë mbledhur sot për të pastruar nga bora trotuaret e qytetit

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! Qendra në Gjilan, janë mbledhur sot për të pastruar nga bora trotuaret e rrugës “Zija Shemsiu”, ndërkohë që kanë larguar borën edhe nga oborri i Qendrës së Mjekësisë Familjare “28 Nëntori”, duke e bërë të kalueshme edhe rrugën hyrëse për automjete në këtë qendër.

Ky aksion i aktivistëve të Lëvizjes, ka ardhur si pasojë e mungesës së përkujdesit institucional që do të duhej të bëhej, cdo herë kur rrugët dhe trotuaret tona bëhen vështirë të kalueshme si pasojë e reshjeve të borës.
Sot, reshjet e borës kanë filluar qysh në orët e para të mëngjesit dhe nuk vlenë arsyetimi i “nxënies” në befasi, sepse ka pasur kohë të mjaftueshme për marrjen e të gjitha masave të nevojshme, në mënyrë që automjeteve dhe kalimtarëve të rastit ti mundësohet qasje sa më e lehtë në rrugët dhe trotuaret e qytetit.

Ndërkaq, ia pëkujtojmë se Komuna e Gjilanit, shpenzon shuma parash për dhënien e tenderit për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në qytet dhe fshatra, ndërsa pos problemeve në qytet, probleme edhe më të mëdha kanë banorët e fshatrave, ku as komunalitë nuk shkojnë për ti kryer shërbimet e tyre, sepse ankohen për pakalueshmëri të rrugëve të mbuluara nga bora.