Drita e nisi me fitore

Volejbollistet e Dritës, të përforcuara me dy lojtare amerikane janë përballur me ekipin M-Technologie nga Prishtina, të cilat radhët e veta i kanë ngjeshur me dy lojtare braziliane.

Kjo ka bërë që të pritet një rivalitet i denjë në mes të këtyre dy ekipeve, gjë e cila ndodhi, megjithëse Drita ka ngadhënjyer me rezultat të pastër 3:0.

Seti i parë dhe i dytë pak a shumë kanë qenë të njëjtë deri në pikët 18:18 e më pas Drita është shkëputur për të fituar të dy setet.

Në të parin prishtinaset janë kufizuar në 22 pikë, derisa në të dytin arritën të mbledhin 23 pikë.

Në këtë ndeshje, ndonëse u pa se ka vend për përmirësime, Drita ka ndërtuar ekip më të mirë, falë edhe përvojës nga vitet e kaluara, derisa M-Technologie është ekip në krijim e sipër.

Forca e Dritës u pa sidomos në setin e tretë, të cilin e fituan me rezultat 25:17.

Përbërja e ekipeve:

KV Drita: Ilazi, Xhymshiti, V. Shabani, Jaha, F. Shabani, Latifi, Gardner, German, Sinani, Hyseni. Trajner: Lorik Ilazi

KV M-Technologie: Asllanaj, Abazi, Bahtiri, Llugaliu, Kurti, Muqolli, Rama, Kqiku, Xhemshiti, Hyseni, Bylykbashi, Gjosha, Toazzi, Gomosian. Trajner: Naser Krasniqi.