Taksa dhe vizat, dy çështje të ndara

Presidenti Hashim Thaçi, i cili fillimisht kishte kundërshtuar ashpër taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, tashmë i është vërsulur diplomatëve ndërkombëtarë me arsyetimin se po lobojnë tek institucionet e Kosovës që ta largojnë taksën në këmbim të heqjes së vizave. Por përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se nuk duhet negociuar taksa për liberalizimin, pasi ky pazar ia humb kuptimin taksës, e cila i është vënë Serbisë dhe jo BE-së, shkruan Gazeta “Zëri”.

Përparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka konsideruar se vendimi për taksën edhe liberalizimi janë dy procese të ndara dhe se duhet të mbeten e të trajtohen si të tilla.

“Nëse diskutohet mundësia për t’u negociuar taksa për liberalizim ajo së pari ia humb kuptimin taksën, sepse taksa i është vënë Serbisë e jo BE-së”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Edhe Imer Mushkolaj ka vlerësuar se nuk duhet bërë pazare me këto dy çështje. “Heqja e taksës nuk ishte dashur të jetë si lëshim për ta marrë liberalizimin e vizave, për shkak se taksa s’ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, ashtu si e kanë vërtetuar vetë zyrtarët e BE-së dhe nuk ishte dashur të hyhet në pazare të tilla, për shkak se atëherë do të konsiderohej dobësi një gjë e tillë”, ka theksuar ai.

Edhe po qe se bëhet ndonjë ofertë e tillë, që taksa të hiqet në këmbim të vizave, sipas Mushkolajt një gjë e tillë nuk duhet lejuar të ndodhë.

Edhe nëse do të ndodhë, thjesht BE-së duhet t’i bëhet e ditur që liberalizimi i vizave nuk ka lidhje me taksën dhe se është pazar shumë i ulët. Kjo nuk duhet të pranohet”, ka potencuar ai.

Ndërkohë arsyeja se pse taksa duhet të mbetet akoma në fuqi sipas Arberie Nagavcit, nga LVV-ja, ka të bëjë me faktin se kjo tarifë ende nuk e ka arritur efektin e plotë.

“Taksa duhet të mbetet si çështje reciprociteti, duhet të jetë një reciprocitet i plotë me Serbinë”, ka potencuar deputetja e LVV-së.

Megjithatë, Përparim Kryeziu ka konsideruar se kërkesat e BE-së për heqjen e taksës janë të kuptueshme, pasi vendosja e tarifës ndaj një shteti tjetër konsiderohet si një vendim që shkon kundër vlerave të BE-së. /ZERI