Haziri: Përlepnicën po e bëjmë fshat model me investimet në infrastruturë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Naser Korça, kanë bërë inspektimin e punimeve në asfaltimin e rrugës së hyrje-daljes për fshatin Përlepnicë, ku pos asfaltimit po investohet edhe trotuari, ndriçimi publik dhe rrugëve të tjera brenda fshatit, që e bëjnë Përlepnicën model i fshatit të kompletuar.

Kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se programi qeverisës për zgjerim të rrugëve të qytetit po bëhet njëkohësisht edhe në zgjerimin e rrugëve nëpër fshatra, në mënyrë që të bëhet standardizimi I tyre.

“Jemi në vizitë punimeve finale për zgjerimin e rrugës së Përlepnicës, asfaltimit të rrugës, rregullimin e trotuarit për këmbësorët dhe gjithashtu edhe ndriçimin publik që do të vazhdoj deri në qendër të fshatit. Do të vazhdojmë me rregullimin e rrugëve të mbetura brenda fshatit, rregullimin e shtratit të lumit dhe investimin e rrugës deri te penda e Përlepnicës. Ky është programi që e finalizon fshatin model”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka njoftuar se me standadtin e njejtë do të vazhdohet me punë edhe në Cërrnicë, Malishevë, Pogragjë, Zhegër, lagjet e Livoçit të Epërm dhe Bresalcin.

“Këto janë fshatrat që do të punojmë me standardin e njejtë të kompletimit me infrastrukturë. Tashmë në fshatin Livoç i Ulët jemi duke punuar në disa rrugë dhe shumë shpejtë në atë lokalitet do të përmbyllim asfaltimin. Unë falënderoj zëvendësministrin Kadriu për një partneritet të plotë dhe me mbështetjen e tij kemi arritur që Komuna të realizoj projekte me financim të plotë apo bashkëfinancim”, ka njoftuar kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit ka bërë të ditur se projektet nuk do të ndalen në asnjë moment, por do të vazhdojnë në bazë të kontratës dhe dinamikës së planifikuar për të krijuar kushte më të mira për qytetarët gjithandej Komunës së Gjilanit.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë se ky dikaster ka mbështetur Gjilanin në shumë projekte dhe është partnere në realizimin e tyre deri në finalizim, me qëllimin që të krijohen kushte më të mira për të qarkulluar, siguri më e madhe dhe hapësirë të mjaftueshme edhe për këmbësorët.

“Sot po përcjellim asfaltimin e rrugës 3 kilometërshe në hyrje të fshatit Përlepnicë, për të vazhduar edhe me projektet tjera të rrugës në drejtim të Prishtinës, asaj në drejtim të Ferizajit dhe rrugëve të tjera ku jemi bashkëfinancues mes nivelit lokal dhe atij qendror të qeverisjes”, ka thënë zëvendësministri Kadriu.

Menderez Xhelili në emër të fshatit ka falënderuar kryetarin Haziri dhe zv.ministrin Kadriu për projektet e mëdha që kanë sjellë për këtë fshat në mënyrë të vazhdueshme