Pse emri i dëshmorit të kombit, Hamzit Jashari, nuk figuron në emërtimet e rrugëve në Pogragjë?

Mosrespektimi, mënjanimi dhe diskriminimi i emrit të dëshmorit të kombit, Hamzit Jashari, me rastin e emërtimit të rrugëve në fshatin Pogragjë, ka lënë përshtypje negative në komunitetin profesional të historianëve dhe në opinionin publik.
Më 12 qershor 2019, në 20-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, organet komunale të Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, kanë vendosur disa tabela me emërtime rrugësh në fshatin Pogragjë. Në dokumentin që Komuna e Gjilanit ka publikuar për opinionin, në Pogragjë rrugët parashihet të mbajnë këto emërtime: Iliro-dardane, Avdi Rexhepi, Përroska, Ramiz Shabani, Shefki Rexhepi, Musë Tomaku, Hajriz Hajrizi, Vocajt, Petrit Sherifi, Halit Hasani, Nijazi Rexhepi, Horajt, Nazim Limoni, Mehmet Aga, UÇPMB, Bilinica, Ismajl Fetahu, Llofca, Cenajt, Rexhep Rexhepi, Riza Jashari.
Në enciklopedi dhe fjalorë të gjuhës tonë amtare e në gjuhë të huaj, përkufizimet terminologjike mbi nocionin e dëshmorit, intelektualit, veprimtarit, punonjësit në institucione civile-administrative dhe ndërmarrje, punëtorit fizik e teknik në institucione shkollore, plantacione bujqësore etj., nuk kanë kuptime të njëjta, nuk kanë merita të barabarta dhe nuk kanë vlera të përafërta.
1. Dëshmor konsiderohet njeriu që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, ai që fal jetën për të mirën e popullit dhe të atdheut.
2. Intelektual konsiderohet njeriu që ka një përgatitje të veçantë në fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore.
3. Veprimtar konsiderohet njeriu që kryen një veprimtari të gjallë shoqërore, që lufton për një çështje shoqërore a që merr pjesë gjallërisht në një lëvizje shoqërore.
4. Punonjës konsiderohet njeriu që punon në një ndërmarrje, në një kooperativë, në një institucion etj.; ai që rron me të ardhurat që ka nga puna e vet, ai që mbahet me djersën e vet.
5. Punëtor konsiderohet njeriu që kryen një punë ose një detyrë të caktuar në kuadër të një marrëdhënieje pune, në industri, në transport, në ndërtim, në miniera, në bujqësi etj., që për bazë ka përdorimin e fuqisë së krahut.
Kësisoj, dëshmori mund të jetë edhe intelektual, mund të jetë edhe veprimtar, mund të jetë edhe punonjës, mund të jetë edhe punëtor. Mirëpo, punëtori, punonjësi, veprimtari a intelektuali, jo çdoherë ka fatin të jetë dëshmor. Historia e popullit shqiptar ka shembuj të mjaftueshëm që ilustrojnë këtë krahasim.
Në këtë kontekst, duke vlerësuar pozitivisht meritat kombëtare dhe shoqërore të secilit personalitet dhe individ, me emrat e të cilëve janë emërtuar rrugë të caktuara në Pogragjë, biografitë tekstuale dhe gojore rezultojnë në konstatimin se pak prej tyre ishin dëshmorë, pak prej tyre ishin intelektualë, pak prej tyre ishin veprimtarë, pak prej tyre ishin punonjës dhe pak prej tyre ishin punëtorë. Mirëpo, vetëm në rastin konkret (në Pogragjë), kur krahasimi dhe klasifikimi biografik bëhet me gradën e dëshmorit, atëherë vlerat tjera shoqërore (intelektuali, veprimtari, punonjësi dhe punëtori) kategorizohen ose renditën në shkallë më të ulëta të sakrificave apo meritave shoqërore. Pra, kategoritë shoqërore jashtë ombrellës së dëshmorëve, kur analizohen me kujdes, nuk mund të barazvlerësohen dhe as të mbivlerësohen me dëshmorët e kombit. Dëshmorët e kombit heroikisht tejkalojnë margjinat e gjeografisë lokale ose të vendlindjes. Vlerat e tyre janë simbole, margaritarë e fanarë ndriçues, që i kanë dhënë e lënë trashëgim atdheut dhe lirisë së tij. Ky konstatim gëzon mbështetje në vepra enciklopedike, në literaturë shkencore historiografike, në literaturë të organizimit ushtarak, madje edhe në vepra e literaturë religjioze.
Rrjedhimisht dhe mjerisht, përjetësimi i emrit të dëshmorit të kombit, Hamzit Jashari, nuk është përfillur, nuk është vlerësuar, nuk është respektuar dhe njëanshëm është diskriminuar në kuadër të procesit të emërtimit të rrugëve në fshatin Pogragjë.

Kush ishte Hamzit Jashari?

Hamzit Jashar Jashari, u lind në vitin 1913 në një familje tradicionale shqiptare nga Pogragja e Gjilanit. Jashari, i martuar me Hanumshahen nga Malisheva e Epërme, kishte 4 fëmijë: Halimin, Hamzitin, Ibrahimin dhe Isufin. Hamziti i takon një brezi të lindur gjatë Luftërave Ballkanike, kur Kosova ishte pushtuar dhe aneksuar dhunshëm nga Mbretëria e Serbisë dhe ajo e Malit të Zi, me përkrahjen e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Babai Jashari dhe familja e tij merreshin me bujqësi dhe blegtori. Prodhimet bujqësore dhe krerë bagëtish e kafshësh shtëpiake, ishin në shënjestër të administratës ushtarake serbe, e cila konfiskonte dhunshëm pasurinë dhe të mirat e shqiptarëve. Rrjedhimisht, përveç kësaj, familja Jashari u prek edhe nga vala e braktisjes së detyruar të shtëpive dhe dëbimit me dhunë në drejtim të Perandorisë Osmane përkatësisht Turqisë. Pas Luftërave Ballkanike, për shkak të shtypjes dhe presionit sistematik që ushtrohej ndaj familjes Jashari, xhaxhai i Hamzitit, Osmani u detyrua të emigronte në Perandorinë Osmane përkatësisht në Turqi. Hamziti, si fëmijë përjetoi edhe politikën bullgarizuese që Mbretëria e Bullgarisë ndoqi ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1915-1918, për t’i lëshuar vendin ripushtimit serbo-jugosllav të Pogragjës gjatë viteve 1918-1941, kur shtypja, dëbimi me dhunë, kolonizimi, reforma agrare, mohimi i të drejtave kulturore e kombëtare pllakosnin mbi supet e shqiptarëve dhe familjes Jashari në Pogragjë. Si i ri nuk kishte të drejtë të shkollohej në gjuhën shqipe, sepse regjimi mbretëror serbo-jugosllav i mohonte shqiptarëve shkollimin në gjuhën amtare. Mirëpo, Hamziti kalitej në oda përmes rrëfimeve e tregimeve të të moshuarve dhe të rriturve. Aty, ai dëgjonte përshkrime e rrëfime nga më të ndryshmet për trimëritë, vuajtjet, luftërat e sakrificat që shqiptarët e Pogragjës e viseve përreth kishin përjetuar përgjatë historisë. Rrjedhimisht, në moshën rinore, veç angazhimeve familjare në punë të bujqësisë dhe të blegtorisë, ai interesohej për shkaqet e copëzimit të familjes Jashari, një pjesë e së cilës ishte detyruar të ndiqte rrugën e emigrimit. Dalëngadalë mendja dhe shpirti i tij kishin arritur në shkallë vetëdijesimi se atdheu ishte i okupuar dhe në rrezik që shqiptarët të shkatërroheshin si komb.
Në pranverë të vitit 1941, kur Kosova u pushtua nga forcat nazi-fashiste (italianët, gjermanët dhe bullgarët), Hamziti përjetoi edhe një copëtim e pushtim të ri territorial, pikërisht në Pogragjë. Për pasojë, lumi Morava që kalonte midis luginës së fshatit u caktua si kufi politik dhe territorialo-administrativ midis Italisë dhe Bullgarisë. Rrjedhimisht, shtëpitë e familjes dhe rrethit të tij familjar mbetën në kuadër të kufijve administrativë të zonës së okupimit bullgar. Vrasje të civilëve shqiptarë të paarmatosur (Bejtush Durmishit dhe Ramiz Durmishit), burgosje, internime, shtypje e dhunë sistematike, konfiskim i pasurive bujqësore e blegtorale dhe akte të tjera krimi të administratës ushtarake bullgare në Pogragjë, shoqëronin jetën e Hamzitit gjatë viteve 1941-1944. Në vitin 1943, Hamziti u martua me Rabije Qazim Hafizin nga fshati Livoç i Ulët i Gjilanit.
Kalimi fizik i lumit Morava nga zona bullgare në zonën italiane, që në popull njihej si “zona e Shqipnisë”, konsiderohej vepër ilegale nga administrata pushtuese e Bullgarisë. Një pjesë e pogragjasve u detyrua ilegalisht të emigronte në atë zonë. Mirëpo, Hamziti dhe familja e tij, përkundër regjimit të dhunshëm bullgar, vendosi të mos braktiste shtëpinë dhe vendlindjen. Më 9 shtator të vitit 1944, pas kapitullimit, administrata bullgare u largua nga Pogragja. Kësisoj, komanda administrative i kaloi institucioneve shqiptare, strukturave drejtuese të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe forcave administrative gjermane, që në atë kohë administronin me kufijtë e mëparshëm të zonës italiane dhe bullgare. Mirëpo, kërcënimi i forcave partizano-çetnike jugosllave nga kufiri verilindor i Shqipërisë, mobilizoi jo vetëm Hamzitin 31-vjeçar, por dhjetëra pogragjasë të tjerë, që i bënin çdo ditë roje trungut të kufirit etnik shqiptar. Kësisoj, për të mbrojtur kufirin nga depërtimi i brigadave dhe njësiteve partizane e çetnike të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ), përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, filloi mobilizimi i vullnetarëve nga Presheva, Kumanova e Gjilani me viset përreth dhe u caktuan komandat e zonave mbrojtëse. Hamziti, si pjesëtar i forcave nacionaliste dhe vullnetare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me kërkesën e Komitetit Qendror të saj, iu bashkua shumë vullnetarëve shqiptarë të Pogragjës e fshatrave të rrethinës, për t’u nisur drejt vijës së frontit në Preshevë përkatësisht në sektorin Corroticë-Raincë. Si shqiptar i brumosur me vlera të dashurisë ndaj vendlindjes, ndaj atdheut, ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, i orientuar dhe rreshtuar në grupin e forcave vullnetare dhe nacionaliste, që në ditën e Festës së Bajramit, më 19 shtator 1944, gjatë ceremonisë së lutjeve, para masës së tubuar, Hamziti iu përgjigj pozitivisht thirrjes se: “… ditën e Bajramit do ta festojmë në Raincë dhe me armë në dorë do ta mbrojmë atdheun tonë, Kosovën”.
Hamziti, sikurse ditët e mëparshme që i bënte roje kufirit shqiptar, edhe atë ditë u nis në Frontin e Preshevës në mbrojtje të kufirit të Kosovës Lindore. Ai, ato ditë priste që bashkëshortja e tij, Rabija, të lindte fëmijën e tyre të parë. Për fat, atë ditë bashkëshortja lindi fëmijën. Vëllai i Hamzitit, Ibrahimi shkoi në front të luftës për ta lajmëruar Hamzitin për gëzimin familjar dhe për ta zëvendësuar atë në front, pasi ai të kthehej në shtëpi tek familja. Edhe bashkëluftëtarët në frontin e luftës i kërkonin Hamzitit të kthehej në shtëpi dhe të kujdesej për bashkëshorten dhe fëmijën e sapolindur, por ai nuk pranoi. Ato momente, mbrojtja e trupit të atdheut, të Shqipërisë etnike, për Hamzitin kishte rëndësi më të madhe se kujdesi ndaj bashkëshortes dhe familjes. Gjatë luftimeve të zhvilluara, më 19-20 shtator 1944, në mbrojtje të kufirit shqiptar kundër njësiteve dhe brigadave partizane e çetnike të UNÇJ-së, përkatësisht Brigadave VIII dhe XII, Hamziti ra dëshmor duke luftuar heroikisht në lumin e fshatit Raincë të Preshevës. Në këtë luftë, e cila zgjati dy ditë, sipas dokumentacionit të kohës, forcat vullnetare shqiptare arritën fitore, ku njësiteve dhe brigadave partizane e çetnike të UNÇJ-së iu shkaktuan qindra të vrarë, të plagosur e të zënë robër. Veç rënies së Hamzitit, familjen e tij e pllakosi edhe një dhembje e madhe. Djali që kishte lindur bashkëshortja e tij, Rabija, pas një jave ndërroi jetë. Edhe pse përjetoi emocione tragjedie familjare dhe atdhetare, rrethi familjar i Hamzit Jasharit e ruajti me krenari kujtimin për veprën dhe sakrificën e tij për atdheun: Shqipërinë etnike. Emri i Hamzitit u trashëgua tek familja Jashari dhe u bë frymëzim për vazhdimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Kësisoj, Ilir Hamzit Jashari u vesh me uniformën e luftëtarit të lirisë në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Pashtrikut (ZOP) gjatë vitit 1999.
Veç vrasjes së parë më 1944, dëshmorit të kombit, Hamzit Jashari, “vrasja e dytë” iu bë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kur për shkak të regjimit të kohës deri në vitet ’90-të të shek.XX emri i tij ishte i ndaluar të lakohej në rrethe familjare dhe institucione shtetërore. Dënohej ligjërisht çdokush që fliste ose shkruante për të. Regjimi komunist serbo-jugosllav përmes anatemimit dhe demonizimit të figurave nacionaliste, synonte shkatërrimin e memories kolektive mbi traditën, kulturën dhe historinë patriotike shqiptare. Më 12 qershor 2019, në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, në kushte të jetës institucionale dhe demokratike të Republikës së Kosovës, Hamzit Jasharit, për shkaqe anakronizmi historik dhe shoqëror, i është bërë “vrasja e tretë” me rastin e mohimit të dinjitetit, të vlerave dhe të sakrificës së tij kombëtare.
Kështu, në bazë të biografisë së mësipërme të Hamzit Jasharit, emërtim rruge me emrin e tij duhet të ketë në Pogragjë ose Gjilan dhe kudo në hapësirën gjeografike shqiptare, sepse ai ra theror për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar në të gjithë kufijtë e saj etnikë. Paralelisht me këtë, ai meriton dekoratat më të larta të institucioneve shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri. Prandaj, në radhë të parë, vetëm duke respektuar meritat kombëtare dhe shoqërore të dëshmorëve të kombit, sikurse Hamzit Jashari, shoqëria jonë pjesërisht shpaguan një borxh kombëtar, historik e moral ndaj tyre.
Fare në fund, rishtas shtroj pyetjen, pse emri i dëshmorit të kombit, Hamzit Jashari, nuk figuron dhe nuk u përjetësua në tabelat e emërtimeve të rrugëve në fshatin Pogragjë?

Fitim Rifati
Historian
2