Ismajli: Reshjet dhe erërat e fuqishme gjatë ditës së djeshme me dëme materiale, por jashtë rrezikut për jetën e qytetarëve

Komuna e Gjilanit gjatë ditës së djeshme ka kaluar një mot me reshje shiu dhe me erëra të fuqishme të cilat kanë lënë vetëm dëme materiale por pa pasoja në njerëz dhe në paluejtshmëri.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, pas vizitës në terren ka thënë se erërat e fuqishme të cilat kanë zgjatur për një kohë të shkurtër kanë shkaktuar dëmtime materiale, por pa lëndime në njerëz.

“Kemi vizituar pjesën më të madhe në Komunën e Gjilanit dhe përpos raportimeve për dëme materiale, fatmirsisht nuk kemi lëndime në njerëz. Deri më tani kemi hasur në një shtyllë elektrike të thyer, drunjë të rrëzuar, disa vetura të dëmtuara dhe në lokacione të ndryshme ka dëmtime të kulturave bujqësore dhe dëmtim të shtandeve në rrugën e Përlepnicës. Gjilani është duke kaluar një fazë të kujdesit të lartë për tejkalimin e thatësisë, por reshjet e mbrëmshme përpos zbritjes së temperaturave të larta, nuk kanë shënuar ndonjë ndryshim në grumbullimin e ujit të pijshëm”, ka thënë në fjalën e tij nënkryetari Ismajli.