Kaq vota u duhen kandidatëve për tu bërë deputet

Për tu bërë deputet nuk është punë e lehtë, sepse konkurrenca është e madhe jo vetëm jashtë partive por edhe brenda tyre, kur dihet se këtë post e kanë synuar hiq më pakë se 1,067 kandidat, në zgjedhjet e 6 tetorit, por gjithashtu dihet se këtyre kandidatëve u duhen mijëra vota për të zënë një ulëse në Parlamentin e Kosovës, shkruan Gazeta Metro.

Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 ulëse, 100 për të cilat bëhet garë nga deputetët shqiptarë, dhe 20 ulëse të cilat janë të rezervuara për komunitetet.

Fillimisht secila parti duhet ta kalojë pragun e vendosur 5% të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, për të hyrë ne Kuvend.

Se sa ulëse do të fitojë një parti në kuvend kjo varet nga numri i pjesëmarrjeve në zgjedhje. Dhe për këtë ekziston një formulë e thjeshtë.

Pra numri i daljes përfundimtare në zgjedhje pjesëtohet me 100 dhe mësohet numri minimal i votave që duhen për të fituar një ulëse në Kuvend.

Sipas KQZ, numri i nënshkrimeve në LPV, pra i daljes së qytetarëve është 830784, që do të thotë ka pas dalje me të madhe se në zgjedhjet e kaluara, e edhe numri i votave për kandidatët që të behën deputet rritet.

Kur ky numër i votuesve pjesëtohet për 100, i bie që një kandidat duhet ti ketë rreth 8 mijë vota për të qenë pjesë e legjislaturës se re.

Sipas Fisnik Halimit, politolog, nëse i referohemi zgjedhjeve të kaluara, atëherë për kandidatet femra numri më i vogël i mundshëm ka qenë 6 mijë vota ndërsa për kandidatët meshkuj numri i votave duhej të kalonte mbi 7 mijë.

“Numri më i vogël për të fituar një ulëse në kuvend varet direkt prej daljes të votuesve në zgjedhje” tregon Halimi.

Sipas tij, duke qenë se një votues mund të votojë deri në 5 kandidatë, mund të ketë ndonjë ndryshim por që formula për këtë është e qartë.

“Rrjedhimisht numri i daljes ta pjesëtosh me 100 është numri i votave që duhet për një ulëse në Kuvend. Natyrisht duke pasur parasysh që ne kemi një sistem referencial të votimit ku votuesit mund të votojë deri në pesë kandidatë atëherë këto shifra edhe mund të ndryshojnë por realja është që fiton ulëse në kuvend sipas shifrës dalja e përgjithshme pjestu për 100”, shpjegon Halimi.

Sipas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në garë janë gjithsej 1067 persona, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj./gazetametro.net