Search
Sunday 5 April 2020
  • :
  • :

Gazetarët që lanë gjurmë në sportin gjilanas: Enver Sadiku

SADIKU Enver (1968). Profesor, gazetar. Lindi në Llovcë të Gjilanit. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Gjilan, studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge në Prishtinë, ndërsa studimet e magjistraturës i përfundoi në Universitetin Shtetëror të Tetovës në drejtimin Histori e Kohës së Re. Është në përfundim të studimeve për doktoratë në Institutin e Historisë Kombëtare në Universitetin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut “Shën Kirili dhe Metodi” në drejtimin Histori Kulturore.

Punën e mësimdhënësi në vitin 1994 e filloi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, kurse më pas kaloi në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Që prej se nisi së botuari gazeta e përditshme “Zëri” në dhjetor të vitit 1999, ishte korrespondent i saj nga Gjilani dhe Anamorava.

Gjatë periudhës 1999 – 2000, për disa muaj ka punuar përkthyes nga gjuha frënge në organizatën ndërkombëtare IOM, kurse në vitin 2009 ishte anëtar i grupit komunal për hartimin e monografisë së qytetit “Gjilani ndër shekuj”, i zgjedhur nga Asambleja Komunale e Gjilanit.

Ishte pjesëmarrës i aftësimit profesional në Colmar të Francës, të mbajtur në janar – shkurt 2000, sikurse edhe pjesëmarrës në Kongresin e Pushteteve Lokale të mbajtur në Këshillin e Evropës në Strasburg gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2004.

Gjithashtu është pjesëmarrës i shumë trajnimeve dhe aftësimeve profesionale, pjesëmarrës në konferenca e simpoziume vendore e ndërkombëtare, ku është paraqitur kryesisht me punime shkencore që kanë të bëjnë me periudhën e Luftërave Ballkanike. Për punën e tij në sferën e gazetarisë, disa herë është shpërblyer me çmimin “gazetar i vitit”, të cilin e ndanë Drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte e Gjilanit, sikurse që është shpërblyer edhe me çmime të tjera në gazetari. Për një kohë ishte edhe bashkëpunëtor në “Zëri javor” dhe Gazetën Sportive “Topi”.

Është themelues dhe drejtues i portalit kryelajmi.com. Aktualisht jeton në Gjilan dhe ushtron profesionin e mësimdhënësit dhe të gazetarit.

Xhemail Veseli