Search
Sunday 5 April 2020
  • :
  • :

Benjamini, ushtari që po nderon vendin me suksese në karate

Më 4 shkurt është shpallur karateisti më i mirë në Kosovë për vitin 2019. Pesë ditë më vonë arriti suksesin më të madh në karrierë – fitoi medaljen e bronztë në kampionatin evropian për kadetë, juniorë dhe garues deri 21 vjeç.

Karateisti gjilanas, Benjamin Shabani ka “shpërblyer” menjëherë Federatën e Karatesë së Kosovës për çmimin e më të mirit për vitin e kaluar. Ai ka lënë pas një vit të suksesshëm e ka nisur me sukses edhe më të madh vitin e ri, shkruan Koha Ditore.

Shabani ishte një nga dy karateistët e Kosovës që fituan medalje në kampionatin evropian për të rinj të mbajtur në Budapest të Hungarisë. Doli i treti në grupmoshën U-21, në kategorinë +84 kg. Kosova në fakt fitoi katër medalje të bronzta, por dy i fituan karateistet. Betim Maliqi fitoi po ashtu të bronztën në grupmoshën e juniorëve, ndërsa Albulena Gërvalla e Vesa Ibrahimi fituan të bronzta në grupmoshën U-21. Kosovën në Budapest e përfaqësuan 29 karateistë.

Shabani fitoi ndaj karateistëve nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina e Greqia. Më pas e ndali një ukrainas, por kërkoi rastin përmes repesazhit. Në repesazh e mposhti bindshëm turkun Furkan Kayali.

“Kam zënë vendin e tretë dhe kam fituar medaljen e bronztë në një konkurrencë shumë të madhe. Disa nga medalistët aktualë të Evropës kanë mbetur pa medalje në Budapest”, ka thënë Benjamin Shabani në një bisedë për gazetën.

Ai ka thënë se gjatë 2019-s ka fituar medalje që janë ëndërr për sportistë. Por asnjëra nuk e ka peshën e medaljes së fituar në Evropian. Vjet ishte i treti në Kampionatin evropian për universitete, në konkurrencë individuale dhe ekipore. Në kampionat mesdhetar ishte i dyti, në Ballkanik i treti (individuale dhe ekipore), ndërsa ka fituar edhe një Kupë të Botës e po ashtu një turne në Maqedoni Veriore. Këto rezultate i kanë mundësuar të shpallet më i miri i vitit në Kosovë.

Pranimi në FSK, falë edhe karatesë

20-vjeçari nga Gjilani aktualisht është student në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Tani është edhe pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Benjamini me karate ka nisur në moshën gjashtëvjeçare. Prej fillimit të karrierës është në klubin gjilanas, Drita.

“Babai im ka qenë një prej arsyeve kryesore që kam vendosur për sportin e karatesë. Edhe ai ka qenë karateist. Më pas me karate është marrë vëllai im i madh. Kur ai shkonte në stërvitje, shkoja me të dhe kështu ngadalë më lindi dëshira për karate. Tani karateja është pjesë e jetës dhe nuk mund të paramendoj të largohem prej saj”, ka thënë Benjamin Shabani.

Sukseset e vitit të kaluar, e sidomos suksesi në Evropian e motivojnë Benjaminin për më tepër punë e angazhim./KohaDitore/