Kushtrim Xhemaili ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Përmes një statusi në Facebook, ai bëri të ditur se ka marrë besimin e kryetarit të partisë, Ramush Haradinaj, për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Xhemaili ka theksuar përkushtimin e tij për të përfaqësuar jo vetëm qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës, por të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë në mënyrë të veçantë brezin e tij. Me një përvojë të gjatë në Aleancë si pjesë e grupit parlamentar të AAK-së dhe si Zëdhënës i partisë, ai u shpreh mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të partisë dhe për besimin që i është dhënë nga kryetari Haradinaj.
Statusi i plotë:
Sot, zyrtarisht mora besimin nga kryetari Ramush Haradinaj për t’i hyrë garës për deputet në Kuvendin e Kosovës.
Kësaj gare po i hy me bindje të plotë që do ta përfaqësoj vullnetin e qytetarëve jo vetëm të Gjilanit e Anamoravës por të tërë Kosovës, por me theks të veçantë të brezit tim.
E kisha për nder që kaq vite të jem pjesë e një ekipi të mrekullueshëm të Aleancës, si në grupin parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe si Zëdhënës i partisë tash e dy vjet. Të gjithë e dinë që Aleanca funksionon si familje e madhe, mbi parime e vlera që i ndajmë bashkë edhe kur jemi pozitë edhe kur jemi opozitë, pa lëvizur nga binaret e lojalitetit ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj, ashtu sikurse e duam të gjithë, të fortë, të rreshtuar drejt dhe shtëpi të të gjithëve. Të qenurit në familjen e madhe AAK, e trashëgoj edhe nga babai im Selami Xhemaili, i cili që nga themelimi i AAK-së në Gjilan ka bartur përgjegjësi të ndryshme, dhe gjitha detyrat i ka kryer me nder.
Jam pafundësisht mirënjohës për besimin e dhënë nga kryetari Ramush Haradinaj, dhe strukturat e AAK-së që unë të jem në listën garuese për deputet!
Na priftë e mbara!