Afro 105 mijë qytetarë në diasporë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Mbi 44 mijë prej tyre jetojnë në Gjermani.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar këtë të enjte se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
Votimin do të mund ta bëjnë me postë nga 9 janari, ose në përfaqësitë diplomatike të Kosovës vetëm, më 8 shkurt.
Kjo periudhë (9 janar – 8 shkurt 2025) do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet, më 8 shkurt 2025.