Një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale është realizuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në shërbimin e Neurokirurgjisë në Shqipëri. Nëpërmjet teknikës mini-invazive përmes vetullës, mjekët i kanë hequr plotësisht tumorin në kokë një 34-vjeçareje.
“E veçanta e kësaj është që nuk u përdor rruga klasike e prerjes, por heqja nga vetulla. E cila sjell shërim të shpejtë, dhimbje minimale dhe pjesa më e rëndësishme, ajo e heqjes së tumorit.”, tha kirurgu Artur Xhumari.
Kjo teknikë sipas tij, shmangu shenjën pas operacionit si dhe humbjen e nuhatjes te 34 vjeccarja.
“Përzgjidhet në varësi të sëmundjes që ke për t’u trajtuar. Kemi 2-3 teknika, në varësi zgjidhet. Por kësaj rradhe duke dashur të heqim prerjen e madhe, zgjodhëm këtë.”, tha ai.
Meningioma është tumori më i shpeshtë në vendin tonë, dhe kryesisht prek femrat. Një dhimbje e shpeshtë koke nuk duhet neglizhuar, thotë mjeku Xhumari, pasi kapja në kohë e sëmundjes lehtëson trajtimin e saj.