Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Zh.D. dhe V.B., për shkak të veprës penale cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga data 3 tetor 2019.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Zh.D. dhe V.B., që nga data 26 shtator 2019 deri më 2 tetor 2019, në Kllokot, në fshatin Vërbovc dhe Gërnqar, në vazhdimësi, kanë kanosur të dëmtuarit O.K., S.K. dhe J.K., në atë mënyrë që me veprimet e tyre fillimisht kanë ushtruar presion tek i dëmtuari S.K., ashtu që gjersa ishin në veturë zyrtare, fillimisht e ftojnë për të biseduar, e më pas kërkojnë që të hyjë në veturë pa dëshirën e tij, me qëllim që ta dërgojnë në Kllokot, për të biseduar rreth zgjedhjeve, në mënyrë që të heqë dorë nga partia SLS dhe të kthehet në krahun e partisë së Listës Serbe, me ç’rast i njëjti në momentin kur vetura ngadalëson arrin që të largohet.
Gjithashtu, të pandehurit përmes kanosjes serioze, kanë ushtruar ndikim edhe tek i dëmtuari O.K., që të votojë për partinë Lista Serbe, ku të njëjtit i shkaktojnë shqetësim dhe pasiguri në të drejtën e lirë të votimit.
Në vazhdën e presionit të vazhdueshëm të partisë Lista Serbe ndaj anëtarëve të partisë SLS, nga udhëzimet e të pandehurit Zh.D., të dëmtuarës J.K., pas 36 viteve përvojë pune, me aktvendim i ndërpritet marrëdhënia e punës nga Shtëpia e shëndetit në fshatin Pasjan.
Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtor për veprën penale, e cila iu vihet në barrë.