Dje ka nisur regjistrimi i deputetëve të rinj të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Gjatë ditës deputetë të LDK-së e LVV-së, kanë pasur mundësi që të regjistrohen si deputet pranë administratës së Kuvendit, e të njëjtit janë shprehur optimist se marrëveshja e koalicionit qeverisës mes tyre do të arrihet gjatë kësaj jave.
Të njëjtit madje po zotohen se deri në fund të muajit do të konstituohet edhe Kuvendi i Kosovës.
Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili edhe për një mandat do të jetë deputet, tha se në afatet kushtetuese, brenda 30 ditëve do të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Krahas kësaj, Avdyli tha se vonesat pas kësaj kohe janë të panevojshme, ai u shpreh optimist se marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje do të arrihet.
Optimist se kjo marrëveshje për koalicion qeverisës do të arrihet mes dy partive që kanë marrë më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, po shprehet edhe Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje. Murati i cili do të jetë për herë deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se ky koalicion do të arrihet gjatë kësaj jave.
Megjithatë, kjo marrëveshje po shihet me skepticizëm nga profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thotë se gjasat që vendi të shkoj në zgjedhje janë të mëdha.
Ndryshe, janë 120 deputetë të rinj të cilët do të regjistrohen nga administrata e Kuvendit, ndërsa shumë shpejt pritet të thirret seanca konstituive ku ata do të japin betimin.
Seanca konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.