Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç (pa indikacione shëndetësore) me vaksinën Pfizer BioNTech, me kërkesë dhe vullnet të prindit apo kujdestarit ligjor.
Siç thuhet në njoftimin e MSh-së, vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor.
Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grup-moshe, prindërit e tyre ose kujdestarët ligjor nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse.
Ky vendim është bazuar në rekomandimet e EMA, FDA, CDC, dhe në praktikat e shumë shteteve të cilat deri tash kanë arritur shkallë të konsiderueshme të vaksinimit të fëmijëve të kësaj moshe me vaksinën kundër COVID-19.
Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të pa përfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi.
Ministria e Shëndetësisë rikujton se deri tash ka qenë i lejuar vaksinimi i grup-moshës 12-15 vjeçe me indikacione shëndetësore dhe i të gjithë qytetarëve të moshës mbi 16 vjeç.
Ministria i inkurajon prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër COVID-19, si mënyrën më të sigurt për parandalimin e infeksionit COVID-19 në mesin e fëmijëve.