Të paktën 1.6 milionë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar kanë përdorur injeksione për humbje peshe gjatë vitit të kaluar, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve se shumë përdorues mund të detyrohen t’i marrin ato për gjithë jetën.
Ndërkohë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kapacitetin e furnizimit, edhe 3.3 milionë persona të tjerë kanë shprehur interes për të përdorur këto injeksione “djegëse të yndyrës” gjatë 12 muajve të ardhshëm, sipas një studimi të ri.
Vlerësimet tregojnë se shumica e barnave të grupit GLP-1 – ku përfshihen Wegovy dhe Mounjaro – janë siguruar përmes recetave private dhe jo përmes Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS), çka ka shtuar shqetësimet se kërkesa mund ta tejkalojë së shpejti ofertën.
Rishikimi më i madh i kryer ndonjëherë në këtë fushë, i udhëhequr nga ekspertë të Universitetit të Oksfordit, zbuloi se ndonëse këto injeksione kanë revolucionarizuar trajtimin e obezitetit, metoda të tjera për humbje peshe – si dieta dhe kirurgjia bariatrike – ofrojnë rezultate më të mira afatgjata.
Gjetjet, të publikuara në revistën BMC Medicine në bashkëpunim me Cancer Research UK, tregojnë gjithashtu se gratë kanë dyfish më shumë gjasa sesa burrat të përdorin këto injeksione.
Duke analizuar të dhëna nga 5,260 persona përfaqësues të popullsisë së përgjithshme, studiuesit zbuluan se përdorimi i injeksioneve ishte më i përhapur tek personat e moshës së mesme dhe ata që kishin përjetuar stres apo shqetësime psikologjike së fundmi.
Një nga gjetjet më shqetësuese ishte se një në shtatë persona që i përdornin injeksionet vetëm për humbje peshe, po merrnin barna që nuk janë të licencuara për këtë qëllim.
Profesorja Sarah Jackson, shkencëtare e sjelljes në University College London dhe drejtuese e studimit, deklaroi:
“Kjo shifër e tejkalon ndjeshëm objektivin fillestar të NHS England për t’ua përshkruar këto barna 220 mijë personave brenda tre viteve.”
“Sipas gjetjeve tona, shumë njerëz po i sigurojnë këto medikamente jashtë NHS-së. Kjo ngre shqetësime serioze për barazinë, duke pasur parasysh koston e lartë të tyre, si dhe për nivelin e mbikëqyrjes mjekësore dhe cilësinë e trajtimit,” shtoi ajo.
Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin Klinik (NICE) aktualisht rekomandon që semaglutide – i shitur me emrin Wegovy – të përdoret jo më shumë se dy vjet, “për të siguruar vlerë për paratë e taksapaguesve”.
Ndërsa për Mounjaro – i cilësuar shpesh si “King Kong-u” i injeksioneve për dobësim – nuk ka ende një kufi të përcaktuar kohor, ekspertët paralajmërojnë se ai tashmë ndodhet në kufirin e pranueshmërisë për nga kostoja për NHS-në, dhe rritja e kërkesës mund ta tejkalojë këtë prag.
Sipas studiuesve, Mounjaro ishte injeksioni më i përdorur për humbje peshe, por pjesëmarrësit në studim – të përfshirë në Smoking Toolkit Study – u pyetën gjithashtu për përdorimin e Ozempic, Wegovy dhe Rybelsus.
Këto barna, të njohura kolektivisht si medikamente GLP-1, funksionojnë duke imituar hormonet që çlirohen nga trupi pas ushqimit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndërprerja e këtij “rregullimi hormonal” mund t’i ekspozojë përdoruesit ndaj urisë së fortë rikthyese dhe, si pasojë, shtimit të shpejtë në peshë.
Kjo vjen pasi një studim i rëndësishëm, i publikuar së fundmi, zbuloi se personat që ndalojnë injeksionet për humbje peshe rifitojnë peshën katër herë më shpejt se ata që humbasin peshë vetëm me dietë – brenda një periudhe prej rreth 18 muajsh.
Profesorja Susan Jebb, bashkautore e studimit dhe këshilltare e qeverisë dhe NHS-së për obezitetin, sugjeroi se shumë njerëz mund të kenë nevojë për një zgjidhje të përhershme, si përdorimi afatgjatë i injeksioneve, mbështetje për ndryshim sjelljeje, ose një kombinim i të dyjave.
“Ajo që kemi treguar është se rikthimi i peshës pas ndërprerjes së medikamenteve është i zakonshëm dhe ndodh shpejt,” tha ajo.
“Obeziteti është një sëmundje kronike me rikthime të shpeshta, ndaj është e pritshme që këto trajtime të duhet të vazhdojnë gjatë gjithë jetës.”
Këto gjetje, së bashku me kërkesën në rritje, pritet të nxisin debat mbi politikat aktuale të NHS-së, sipas të cilave Wegovy ofrohet vetëm për një periudhë të kufizuar deri në dy vjet.
Vlerësohet se rreth 2.5 milionë persona aktualisht përdorin barna të rinj GLP-1 në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që dy në tre britanikë klasifikohen si mbipeshë ose obezë.
Sipas rregullave aktuale të NHS-së, vetëm pacientët me indeks të masës trupore (BMI) mbi 35 dhe me probleme shëndetësore të lidhura me peshën – ose ata me BMI nga 30 deri në 34.9 të referuar në shërbime specialistike – kanë të drejtë t’i marrin këto barna.
Megjithatë, më shumë se gjysma e autoriteteve lokale shëndetësore në Angli pritet të shtrëngojnë më tej qasjen në këto trajtime, për shkak të shqetësimeve mbi kostot në rritje. /GazetaExpress/










