1 Maji, të rinjtë e Qendrës Sociale ’Përpjekja’ në Gjilan, protestojnë dhe kërkojnë kushte më të mira pune për punëtorët.
Manifestimi i 1 Majit, si dita ndërkombëtare e punëtorëve, lindi si produkt i luftës së punëtorëve që kërkonin të drejta edhe kushte pune të dinjitetshme, çlirim nga trajtimi çnjerëzor që u bëhej punëtorëve në vendin e punës dhe shumë të drejta të tjera të mohuara padrejtësisht. Kjo luftë rezultoi me vrasjen e shumë punëtorëve në vitin 1886 në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me shumë beteja përgjatë viteve në vazhdim, deri në ditët e sotme.
Që nga ajo kohë e deri më sot, në shumicën e vendeve të botës, 1 Maji është dita ku punëtorët organizohen duke protestuar për kushte më të mira në punë.
Kështu do të duhej të ndodhte edhe në Kosovë! Punëtorët do të duhej të organizoheshin për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, respektimin e ligjit të punës, respektimin e kontratave të punës, rritjen e pagave, sigurimin shëndetësor, pushimet ditore e vjetore në përputhje me ligjet në fuqi, t’u garantohet një vakt ushqimi në ditë, të ndalohen oraret e zgjatura në festa e plot probleme të tjera që hasin punëtorët në sektorin privat, e sidomos në qendrat tregtare.
Arsyet pse punëtorët në Kosovë nuk organizohen në sindikata të gjalla e aktive janë nga më të shumtat. Mbi të gjitha është presioni që u bëjnë pronarët gjithë atyre që guxojnë të flasin për organizim sindikal apo më keq akoma, që tentojnë të ngrenë krye. Pasojat janë te rrepta, nga kërcënimet e ndryshme e deri te largimi nga vendi i punës, pavarësisht se vetë këto veprime janë të paligjshme.
Më 7 dhjetor 2023, dy djem të rinj mbanin të lidhur rreth qafës një mbishkrim ku thuhej “Albi po vjen edhe në Gjilan”, njoftimi ishte shënuar në një material plastike a letër të fortë që shkonte deri poshtë te këmbët e të rinjve që ishin të detyruar të ecnin trotuareve të qytetit nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes. Përfitimi ekonomik si qëllim final nuk kursen as dinjitetin e njeriut. Jo vetëm simbolikisht, ky gjest marketingu, është në fakt treguesi më vetpërshkrues i mendësisë perverse e materializuese të këtyre bizneseve. Njeriu është vetëm një objekt lëvizës me funksion të qëllimit të biznesit për përfitim ekonomik. E po t’i shtojmë kësaj edhe nje detaj jo fort të parëndësishëm poaq simbolik sa krejt fabula: dy të rinj, ishin “objektet” që mbanin në qafë një objekt tjetër që mbante një mesazh marketingu.
Në Kosovë paga minimale vazhdon të jetë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët mbi 35 vjeç, pagë kjo që nuk mjafton as për nevojat më elementare.
Çdo vit në Kosovë vdesin punëtorë në vendin e punës, sidomos në sektorin e ndërtimit. Inspektoriati i Punës nuk i viziton pothuajse fare punëtorët e sektorit privat. Përveç vdekjeve në vendin e punës, shumë vende pune janë burim i sëmundjeve të ndryshme. Gjykata e Punës, që është e domosdoshme, nuk është themeluar fare e me sa duket nuk është as në plan të themelohet. E në kushtet kur kemi koalicion mes një shteti të pandjeshëm ndaj punëtorit si subjekt shoqëror dhe kapitalit parazitar e spekulativ, kuptohet që rezultati është thellimi i vazhdueshëm i hendekut të pabarazisë mes pronarëve dhe punëtorëve, një padrejtësi e cila sot shqetëson gjithë shoqërinë bashkëkohore.
Aktivistët e Qendrës Sociale PËRPJEKJA, bëjnë thirrje që të gjithë punëtorët, pa dallim, të organizohen duke themeluar sindikatat e tyre apo duke u organizuar në çfarëdo forme për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta, për të kundërshtuar punën e papaguar dhe punën e fëmijëve.
Përmes faqes sonë do të njoftoheni për aktivitetet e radhës dhe ju ftojmë që të na bashkoheni në përpjekjet tona për një shoqëri të lirë dhe të barabartë.