Mbajmë mend kur Vetëvendosje organizonte aksione për pengimin e mallrave me origjinë nga Serbia, e që u bënin përpjekje për ti vënë masë reciprociteti Serbisë, duke promovuar produktet vendore me moton “Duaje Tënden”. Pushteti i asaj kohe, dallonte shumë nga pushteti aktual, sepse ishte i nënshtruar totalisht ndaj politikave të Beogradit, dhe fort i dëgjueshëm ndaj kërkesave të çfardollojshme nga Bashkimi Evropian. “Duaje Tënden” kishte marrë jehonë të madhe gjithandej Kosovës, dhe natyrisht, përprahje nga populli.
Kjo ishte fuqia e opozitës në atë kohë, dhe kjo nismë ishte projektuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe e mira ishte se u mbështet fuqishëm nga populli. Pra, Vetëvendosje luajti rol të rëndësishëm në ngritjen në një masë të caktuar të vetëdijes qytetare për produktet vendore, dhe injorimin e atyre nga Serbia. Kishim një Vetëvendosje e cila ishte kategorikisht kundër produkteve serbe dhe shumë pro atyre vendore, në të njëjtën kohë kishim një pushtet totalisht të painteresuar me e mbrojtë shtetin dhe gati se përtoke i nënshtruar.
Deri këtu jemi në rregull. Por tani kemi një Vetëvendosje tjetër nga ajo për të cilën folëm më lartë. Nga një Vetëvendosje që i kthente me katër rrota përpjetë kamionat në kufi me produkte serbe, në një Vetëvendosje që bëhet shumë e pa interesuar për këtë çështje. Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Kryeministri Haradinaj, vendos një taksë prej 100% ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si kundërpërgjigjje ndaj agresivitetit të Serbisë në raport me Kosovën, dhe për habinë e shumëkujt, por jo timen, kemi një heshtje vajtuese nga Vetëvendosje. Vendoset taksa, s’kemi të paktën një fjalë të vetme nga Vetëvendosje.
Një Vetëvendosje e përnjëmendt, do të thoshte; dakord, ne nuk pajtojmë për shumë tema me kryeministrin Haradinaj, por kur ka vendime të mira, ne i mbështesim. Asgjë më shumë. Jo, nuk është përnjemend, as ne deklarime e as veprime. Po bëhen disa ditë prej kur është vendosë kjo taksë, dhe Vetëvendosje më shumë merret nëse BE e ka përnjemend kur thotë se Kosova i ka plotësua kriteret për liberalizim ose jo, sesa me taksën. Po jo bre, është e pampralshme kjo sjellje. Kthjelluni, o njerëz.
Populli duhet ta ketë të qartë pse Vetëvendosje thotë se Kosova nuk i ka plotësua kriteret për liberalizimin e vizave, në kohën kur BE-ja thotë se Kosova i ka plotësua. Vetëvendosjes nuk i konvenon liberalizimi i vizave, sepse nëse ka qytetarë që do ti drejtohen vendeve të ndryshme evropiane, ato kryesisht do të jenë moshë rinore, ndërsa votuesi i VV-së është i kësaj moshe. Me fjalë tjera, VV edhe mund të jetë kundër liberalizimit sepse lufta tani bëhet për mbijetesë politike, nuk bëhet fjalë më për pushtet.
Deshëm ose jo ta pranojmë, këmbëngulja e kryeministrit Haradinaj për të mos e tërëheqë taksën prej 100%, edhe pas një presioni të paparë ndërkombëtar, është një risi për Kosovën, është një standard i ri për të cilin do të duhej të ishim mirënjohës të gjithë, pa dallime dhe pa ngjyrime politike, dhe jo vetëm mirënjohës por edhe mbështetës të parezervë dhe bashkëveprues në këtë proces. Ne dëgjojmë zëra duke u thirrur në ide, që taksa ndaj produkteve serbe është e jona. Mos të harrojmë, ekziston dallim i madh me i praptua disa kamiona me katër rrota përpjetë, dhe me e kthy mbrapa Serbinë të paketuar në kamiona. Ndryshe është të reagosh duke qenë jashtë lojës, dhe ndryshe është të marrësh vendime duke qenë në lojë dhe me gjithë atë presion, ama presion nga më të fuqishmit në botë. S’ka vend për përvetësim meritash e ideshë, duhet me bashkëveprua dhe me qenë unik nëse duam të jemi shtet. Nuk i duhen Kosovës politikanë që për inate personale ta djegin të përgjithshmen.
Kemi dëgjua shumë herë duke thënë se Ramush Haradinaj është i etshëm për pozitën e kryeministrit, ama asnjëherë nuk kanë treguar se sa herë iu është ofruar pozita e kryeministrit saktësisht Vetëvendosjes dhe nuk ka pranuar ta marrë. Është e pamoralshme të luash njëkohësisht shumë role në politikë. Njerëzit sot po marrin informacione shpejtë dhe sigurtë, është bërë thuajse e pamundur të manipulosh me qytetarin. Mos e gënjeni vetën duke menduar se qytetari po iu beson çdo herë kur heshtë, sepse jeta e rëndë e ka bërë që ai të heshtë.
Mendoni, flisni dhe veproni vetëm me një fytyrë!