Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë.
Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.
Që nga viti 1990 prof. Anton Çeta u vu në krye të aksioni mbarë popullor për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e jashtë saj, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për zhdukjen e hasmërive, për shërimin e shoqërisë shqiptare e pajtimin e njerëzve duke zgjuar ndërgjegjësimin për vlerën e paçmueshme që është jeta, dhuratë e Zotit.
Anton Çeta qe njohës i thellë i shpirtit e i thesareve të kombit shqiptar, studiues e hulumtues me horizont të gjerë i kulturës e posaçërisht letërsisë shqiptare, në mënyrë të veçantë iu kushtua mbledhjes dhe studimit të folklorit shqiptar.
Prof. Anton Çeta punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve e dha kontribut të veçantë në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Vdiq më 2 nëntor 1995.