Një nga emrat që ka tërhequr më së shumti vëmendje në zgjedhjet e fundit parlamentare është ai i Gentrit Murselit. Në garën e tij të parë për deputet, Murseli arriti të sigurojë mbi 11.812 vota, një rezultat që po vlerësohet si një nga befasitë më të mëdha të këtyre zgjedhjeve.
Mbështetja e madhe e fituar në debutimin e tij elektoral ka bërë që emri i tij të përmendet gjithnjë e më shumë në skenën politike lokale, madje edhe si një kandidat potencial për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme komunale.
Analistë politikë, aktivistë dhe mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës e konsiderojnë Murselin si një figurë të re, të pranueshme dhe me potencial për të bashkuar elektoratin e partisë. Rezultati i tij në zgjedhjet parlamentare shihet si dëshmi e besimit që qytetarët kanë filluar t’i japin një gjenerate të re të përfaqësimit politik.
Pikërisht numri i lartë i votave të fituara ka hapur diskutime brenda opinionit publik për mundësinë që Gentrit Murseli të jetë një nga emrat më seriozë për të udhëhequr garën e LDK-së për Gjilanin. Mbështetësit e tij vlerësojnë se ai përfaqëson një profil modern, komunikues dhe të afërt me qytetarët, cilësi që mund ta bëjnë një kandidat konkurrues në zgjedhjet lokale.
Edhe pse deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për kandidaturën e tij, sinjalet dhe diskutimet politike tregojnë se emri i Gentrit Murselit po fiton peshë gjithnjë e më të madhe në skenën politike të Gjilanit.
Me 11.812 vota në zgjedhjet parlamentare dhe me një profil politik në ngritje, Murseli po konsiderohet nga shumëkush si një nga figurat që mund të luajë rol të rëndësishëm në garën për drejtimin e Gjilanit në periudhën që vjen./Radio Star/

