12 të rinj të Gjilanit kanë nënshkruar kontratat e përfitimit të granteve për ndërmarrësi në formë të pajisjeve, të cilat mbështeten nga partneriteti i Komunës së Gjilanit në bashkëpunim me USAID-in (Empower Private Sector) dhe organizatën HELP.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, tha se idetë e biznesit tuaj kanë qenë më të mirat dhe janë biznese premtuese në të ardhmen.
“Është njëri ndër programet më të mira deri sot që unë i kam parë edhe për shkakun që janë 12 përfitues. Fakti që nga ky program do të përfitojë rinia, më gëzon shumë dhe e falënderoj USAID dhe HELP për implementim. Komuna e Gjilanit ka në fokus zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal dhe këtë zhvillim ne e shohim përmes partneriteteve sikur ky sot. Pra, sektori privat është motori i zhvillimit ekonomik. Urime për të gjithë dhe i gëzofshi këtë grante”, tha Ismajli.
Shqipe Breznica, drejtoreshë e organizatës HELP, ka konfirmuar se shpërndarja e pajisjeve do të bëhet pas kryerjes së procedurave të prokurimit.
“Përfituesit e granteve duhet të presin edhe pak për procedurat e prokurimit, e më pastaj do t’i shpërndajmë pajisjet. Obligimet tuaja janë që të regjistroni bizneset, e nëse jeni ekzistues, atëherë duhet të punësoni dikë. Jam e bindur që pajisjet do t’i funksionalizoni menjëherë. Faleminderit dhe urime’, ka thënë ajo.
Menaxheri i programit të USAID Empower Pirvate Sector, Artan Loxha, ka pohuar se përzgjedhja e përfituesve të këtij lloji të granteve është mbi baza meritore.
“Iden që e kemi pasur për këtë projekt, jam shumë i lumtur që po jetësohet përmes një angazhimi të madh të organizatës Help dhe Komunës. Përzgjedhja e përfituesve të këtij lloji të granteve është mbi baza meritore. Programi Empower si qëllim kryesor për krejt periudhën e operimit e ka pasur sektorin privat dhe për gjenerimin e vendeve të reja të punës. Granti, sado i vogël që është, besoj se iu ofron mundësi që idetë tuaja kreative që i keni ose për regjistrimin e biznesit të ri edhe zgjerimin e biznesit, që t’i realizoni. Urime”, ka thënë Loxha.
Në fund, drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, ka njoftuar se e gëzon fakti që prej pesë nga 12 përfituesit e granteve janë femra, ndërkohë që tetë përfituesve në fushën e teknologjisë informative do t’iu ofrohet hapësirë ne inkubatorin e biznesit.