Incidentet me armë zjarri, që kanë ndodhur kohëve të fundit, kanë bërë që disa raste të përfundojnë me fatalitet.
Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 janë evidentuar 12 vrasje.
“Duke ju referuar të dhënave në Policinë e Kosovës për rastet nga Neni 178 ‘Vrasje’ në përgjithësi kemi këto të dhëna: në vitin 2018 janë evidentuar gjithsej 32 raste të vrasjeve. Ndërsa në vitin 2019, për gjashtë mujorin e parë janë evidentuar gjithsej 12 vrasje”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Arsyet që çojnë deri tek këto vrasje janë nga më të ndryshmet, mirëpo edhe numri i armëve ilegale po konsiderohet si shkaktar i këtyre vrasjeve.
Policia e Kosovës ka thënë se në tetë mujorin e parë të këtij viti ka konfiskuar 996 armë të llojeve të ndryshme.
“Në vitin 2018 policia ka konfiskuar 1,473 armë të llojeve të ndryshme dhe 23,941 municion i kalibrave të ndryshme, kurse gjatë këtij tetë mujori (janar-gusht), policia ka konfiskuara 996 armë të llojeve të ndryshme dhe 11192 copë municion”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Sipas Policisë të gjitha rastet e armëmbajtjeve pa leje trajtohen në konsultim me prokurorinë, ndërsa adresohen tek organet e drejtësisë për vendime të mëtejme.
Ndërsa, Rroksana Qarri, drejtore e zyrës për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë se në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250,000 armë ilegale në posedim të qytetarëve.
“250,000 armë ilegale gjinden në Kosovë në posedim të qytetarëve. Ky numër është me i vogël për rreth 100,000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360,000 armë ilegale. Faktorët që kanë ndikuar në zvogëlimin e këtij numri janë disa. Fillimisht miratimi i ligjit për armët i cili mundëson që qytetarët të pajisen me armë në mënyre legale. Gjithashtu Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1,500 armë ilegale. Një kontribut të rëndësishëm ne zvogëlimi e armëve ilegale jep edhe shkatërrimi i armëve, i cili bëhet çdo vit”, ka theksuar ajo.
Qarri ndër të jera ka thënë se që nga 17 dhjetori 2018 deri me sot në ministri janë paraqitur/dorëzuar 1,710 kërkesa për legalizim të armëve.
“Ka edhe kërkesa të tjera që janë paraqitur në kompanitë kompetente, dhe ende nuk janë dorëzuar në MPB. Janë lëshuar 1,300 pëlqime ndërsa leje për këto armë ende nuk janë lëshuar sepse është një procedurë më e gjatë deri tek lëshimi i lejes, dhe jemi duke punuar që sa më shpejt që është e mundur të fillojmë edhe lëshimin e lejeve të legalizimit. Armë me leje janë rreth 25,000 dhe rreth 20,000 armë të regjistruara”, ka thënë ajo.
Sipas saj, janë rreth 16 kompani të cilat merren me trajnimin për përdorim të sigurt të armës.
“Çmimet variojn nga 150 deri 250 euro për pistoletën, ndërsa 80 deri 150 euro variron çmimi i trajnimit për armët e gjata për gjueti. Armët ndahen në kategorinë A, B, C dhe D, varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës etj. Të dhëna statistikore për rajonet që paraqesin më shumë kërkesa deri më tani janë: Prishtina, Prizreni, kurse me më pak kërkesa janë Gjakova, Mitrovica etj”, ka thënë ajo, duke shtuar se MBP vlerëson si proces të qëlluar dhe e konsideron të suksesshëm.
“Nuk është numër i vogël i kërkesave të paraqitura deri më tani, duke e pare se qytetarët çdo ditë janë duke u vetëdijësuar dhe vazhdimisht është duke u rritur besimi i qytetarëve në qëllimin e drejtë dhe transparent të legalizimit të armëve”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se afati përmbyllës i legalizimit të armëve është 17 shtator 2019, në të kundërtën pason dënimi me gjobë dhe deri në 10 vjet burg./telegrafi