12 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë humbur betejën me Koronavirus, dhe mbi 1000 mijë janë infektuar që nga fillimi i pandemisë në mars. Këto komente i ka bërë U.D Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë.
Tutje, ai ka thënë se gjatë aktiviteteve policore në parandalim të krimeve të rënda janë realizuar 566 operacione, 939 bastisje si dhe 65 plane operative.
Mehmeti ka sqaruar se nga 19 vrasje sa ishin në vitin 2019 në vend, këtë vit kjo shifër është rritur në 25
“Numri i vrasjeve gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje nga 19 vitin e kaluar këtë vit i kemi 25. Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar rritje për 6,86%.Në muajin shtator policia ka regjistruar 221 protesta dhe tubime dhe krahasuar me periudhën e vitit paraprak vërehet një rënie. Ka gjithashtu rënie të numrit të përgjithshëm të aksidenteve ku këtë vit janë mbi 11 mijë, ku vitin e kaluar ishin mbi 14 mijë. Gjatë kësaj periudhe në kudër të aktiviteteve policore në parandalim të krimeve të rënda janë realizuar 566 operacione të ndryshme, 939 bastisje si dhe 65 plane operative”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci ia ka kujtuar, Mehmetit deklaratën e kryeministrit Hoti se policia dhe inspektorati nuk po i respektojnë vendimet e qeverisë, dhe e ka pyetur se a është në dakord me deklaratën e shefit të qeverisë.
Mehmeti iu është kundërpërgjigjur deputetit Bajqinovci, duke i thënë se nuk është në dijeni për deklaratën e kryeministrit Hoti, madje ai e ka mohuar duke thënë se të gjitha vendimet e qeverisë janë respektuar.
Ai madje e ka quajtur joetike që t’i komentoj këto deklarata. Ai ka treguar se numri aktiv i të infektuarve me koronavirus të pjesëtarëve të policisë është 293, dhe që nga fillimi i pandemisë 12 policë nuk i kanë mbijetuar virusit.
Mes tjerash ai ka theksuar se rastet e raportuara nëpër media se kinse refugjatët sirianë janë duke bërë vepra penale të vjedhjes dhe grabitjeve, Mehmeti u shpreh se këto vepra penale janë më shumë nga refugjatët e shteteve siç është Algjeria dhe Maroku, ndërsa refugjatët Sirianë janë të vendosur në qendrat e azilit.
“Është e vërtet që raportet policore që thonë se refugjatët nga Siria kryejnë shkelje, dhe në shumicën e rasteve nuk janë nga Siria por janë nga dy shtete nga Algjeria dhe Maroku. Kemi raste që janë edhe Sirianë, por këto rastet e grabitjeve që gjatë kësaj kohe të fundit kemi identifikuar që refugjatë kryesisht që i kemi arrestuar kanë qenë nga këto dy shtete që i përmenda”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputetja Ganimete Musliu ka reaguar ndaj Mehmeti, duke ju drejtuar se një u.d. nuk mund të amnistohet nga përgjegjësitë. Ajo ishte e interesuar të dijë rreth gjendjes së refugjatëve në Kosovë.
“Të qenurit u.d. nuk të amniston nga përgjegjësitë dhe është e papranueshme që një u.d. të vijë në komision dhe të na tregojë se çka është etike dhe jo etike. Sa pjestarë të policisë së Kosovës i keni të pezulluar dhe cila është qasja e policisë nga qendrat e azilit dhe ndaj refugjatëve që vinë në Kosovë sepse unë kam informacione se vinë të rrahur nga Serbia”, ka pyetur ajo.