Gjuha e politikanëve kosovarë në këtë fushatë elektorale vlerësohet si ndër më të ashprat. Deri tani, nga monitorimi i kryer, rezulton se 13% e fjalimeve të tyre janë akuza e kundërakuza.
“Pra, akuzat e kundërakuzat ndaj njëri-tjetrit kanë qenë në 13% prezente të aktiviteteve të tyre zgjedhore të monitoruara”, shprehet Jeta Krasniqi, monitourese e KDI-së
Madje, këto akuza e kundërakuza të drejtuesve politikë kanë mbërritur edhe tek përfaqësuesit e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilët nuk ka mbledhje që nuk kanë përplasje mes tyre.
“Çdo mbledhje është krijuar ankth. Asnjëherë institucioni i KQZ-së nuk ka qenë më i politizuar, asnjëherë”, është shprehur Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.
Tashmë akuzat mes politikanëve bëhen edhe me emër e mbiemër, e madje jo vetëm ndaj opozitës në drejtim të pozitës, por edhe e kundërta.
Ndërkohë, monitoruesit deklarojnë se politikanët jo vetëm që po përdorin akuza ndaj njëri-tjetrit, por edhe po mbajnë fjalime nxitëse.
“Kemi parë në të njëjtën kohë që subjektet politike, në aktivitetet e tyre zgjedhore përveçse kanë folur për çështjet apo premtimet elektorale, ka pasur raste kur kanë përdorur edhe gjuhë nxitëse ndaj subjekteve të tjera me baza politike”, thotë Jeta Krasniqi, monitoruese e KDI-së.
Për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë kanë mbetur dhe pesë ditë fushatë elektorale, kurse fjalimet e politikanëve sa vijnë e bëhen më nxitëse./EuronewsAlbania