Një aksident trafiku ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, konkretisht në Mazgit-Bresje, janë përfshirë 14 automjete dhe janë lënduar disa persona.
Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se kjo rrugë është bllokuar përkohësisht.
“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje, sipas informatave fillestare është shkaktuar një aksident trafiku zingjiror ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar”.
“Kjo rrugë është e bllokuar përkohësisht, përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t’u marr me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar. Apelojmë për kujdes gjatë vozitjes në këtë kohë me ngrica dhe mjegull, për të shmangur rastet e tilla”, ka thënë Hoxha.