Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët kundër “Kollës së mirë” (Pertusis).
IKShPK ka njoftuar se gjatë këtij viti janë regjistruar 14 raste të reja, kryesisht te moshat e reja, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake.
Ky institut njofton se pertusis është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes dhe shkaktohet nga bakteria Bordetella pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar.
Po ashtu thuhet se kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët, ndërsa më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1 vjeçare.
Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.
“Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat të cilat nuk e kanë ende kohën e marrjes së doizës së parë (foshnjat prej 0-2 muaj), të cilat duhet të mbrohen nga kontaktet me persona të tjerë (nga moshat më të rritura), që mund të jenë bartës të infeksionit pavarësisht nëse kanë shenja apo jo. Mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të foshnjave nga mosha 2 muajshe kur jepet doza e parë kundër Kollës së mire”, thuhet më tej në njoftim. /teve1.info/