Në Kosovë janë mbi 150 mijë automjete të paregjistruara, për shkak të përhapjes së Covid-19.
Ky numër i madh po paraqet rrezik edhe për jetën e qytetarëve pasi që automjetet e paregjistruara janë edhe të pa kontrolluara teknikisht.
Por kjo po i kushton edhe kuletës së shtetit.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.
Mazreku ka thënë se pandemia ka ndikuar negativisht në Industrinë e sigurimeve.
“Numri i automjeteve të paregjistruara gjatë kohës së pandemisë është i vogël në raport me numrin e automjeteve të cilat nuk janë regjistruara deri para pandemisë. Janë shumë faktor për rritjen e numrit të automjeteve të paregjistruara, e kryesori sipas nesh është mos trajtimi si duhet institucional i këtij fenomeni në rritje”, tha ai.
Sipas tij, kompanitë e sigurimeve janë sektori financiar më i goditur nga pandemia COVID-19.
“Kompanitë e sigurimeve të cilat operojnë në Kosovë janë biznese private dhe bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, është sektori financiar më i goditur nga pandemia COVID-19. Ne që nga fillimi, por edhe tash aktualisht po kërkojmë përkrahje Institucionale, pasi që nga fillimi i pandemisë për një kohë kompanitë kanë punuar me kohe të limituar, e ku shitja e policave kishte rënë në minimum, deri sa në anën tjetër janë krijuar shpenzime të mëdha nga pagesa e dëmeve të shkaktuara edhe të automjeteve të paregjistruara, të cilat kohëve të fundit janë rritur në mënyre enorme. Por, lajmi mirë në këtë drejtim është se Qeveria edhe Institucionalisht do të angazhohet për të ulur këtë numër”, shtoi ai.
E, vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili obligon kosovarët t’i regjistrojnë automjetet e tyre deri më 17 gusht, duket se po funksionon koxha mirë.
Sipas Mazrekut, tanimë ka filluar edhe shitja e polisave, e cila kishte rënë më shumë se 33%.
“Referuar të dhënave zyrtare të BQK-së ato të 6 mujorit të parë të këtij viti me të dhënat e njëjta të vitit paraprak shihet se shitja e policave në Kosovë ka rënë në masën prej më shumë se 33 %. Pra, gjatë kësaj kohe punëtoret janë të njëjtë, demet janë shumë më të mëdha, deri sa shitja ka rënë tej mase. Situata kanë filluar të ndryshoj sa do pakë prej vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili i obligon qytetaret të cilët më parë kanë siguruar automjetet e nuk i kanë regjistruar një gjë të tillë ta bëjnë deri në mes të gushtit të këtij viti”.
MPB kishte marrë vendim më 24 korrik që të gjitha automjetet që nuk janë regjistruar gjatë pandemisë të regjistrohen deri më 17 gusht./IndeksOnline/