Me valixhet plot, po presin në radhë.
Të rinj e të reja kanë mbushur aeroportin ‘’Adem Jashari’’.
Tashmë pa u penguar, ata po marrin udhë drejt mërgimit.
Kjo pasi nga një janari, Kosovës iu hoqën vizat për udhëtim në zonën Schengen.
Largimi i vizave parasheh vizitat në Evropë.
Mirëpo ka edhe frikë që krahas atyre që vetëm vizitojnë shtetet evropiane mund të ketë edhe individ që marrin rrugën për të punuar atje.
Largimi i tyre, sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve është për shkak të kushteve jo të mira të punës.
E të tjerë punëtorë janë të interesuar të kalojnë nga sektori privat në atë publik.
“Kushtet e punës në Kosovë po tregojnë që nuk janë aq të volitshme edhe pagat janë jo adekuate, për atë kemi edhe një interesim të madh të punëtorëve për t’u punësuar në sektorin publik, ku janë pagat më të mira kurse puna është më e vogël”, thotë Shahini.
Me liberalizimin e vizave, sipas AKB-së, Kosovën pritet ta lëshojnë mbi 150 mijë qytetarë të vendit.
“Është një interesim i madh i të punësuarve dhe i të papunësuarve për të ikur nga Kosova gjatë janarit, ku tash ne kemi një liberalizim të vizave dhe fluksi që do të ikin nga Kosova brenda vitit 2024 do të jetë rreth 150 mijë qytetarë të vendit. Se Kosova do të mbetet pa fuqi punëtore tregon edhe fakti që brenda këtij viti kanë ardhur mbi 5 mijë punëtorë të huaj në Kosovë”, thotë kreu i AKB-së.
Mirëpo sipas Odës Ekonomike të Kosovës, ky largim nuk do të ketë ndikim të madh tek bizneset, raporton Tëvë1.
“Nuk do të ketë një krizë të theksuar, ose një krizë siç po krijohet përcepsioni që do të dalin të gjithë. Padyshim që kjo e lehtëson për të rinjtë e të rejat që nuk kanë pas mundësi deri më sot të shkojnë, ta gjejnë një vend të punës. Ne e kemi infrastrukturën e gatshme përmes familjes në diasporë që ta gjejnë një vend të punës dhe tani procedurat për vizën e punës janë lehtësu në minimumin e mundshëm dhe kjo do ta ketë impaktin e vet”, thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Sipas Rafunës, numri më i madh i ikjes së të rinjve ka qenë tre vitet e fundit.
“Por nuk duhet harruar që tre vitet e fundit ka largim me të madhe faktikisht. Pra pjesa më e madhe e të rinjve kanë dalë këto dy vitet e fundit dhe nuk do të ketë dhe si numër aq shumë që të dalin tani. Ata që e kanë nda mendjen me dalë, kanë dalë shumë më herët”, thotë ai.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.