Skuadra kampione e Kosovës, FC Ballkani ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Portokallezinjtë e Suharekës, të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” e kanë mposhtur kampionin e Bullgarisë, Ludogorets, me rezultat 2:0, duke bërë një hap të madh drejt kalimit historik të rrethit të parë të garës elitare të futbollit evropian.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja e dominoi ndeshjen, duke treguar lojë tejet të mirë dhe duke e kapitalizuar atë me dy gola. Rezultatin e zhbllokoi Meriton Korenica, në minutat shtesë së pjesës së parë, me gjuajtje nga zona. Loja e mirë e Ballkanit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, kur vetëm pas dhjetë minutash lojë Qëndrim Zyba shënoi nga afërsia me gjuajtje me kokë, duke çuar shifrat në 2:0, që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i kësaj përballjeje.
Përveç dy golave të shënuara, skuadra e Dajës rrezikoi edhe disa herë portën e bullgarëve, e ku mundësinë më të mirë e lëshoi kapiteni Edvin Kuç, që nuk realizoi nga afërsia. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 19 korrik në Razgrad të Bullgarisë.