Shkruan: Avni Rudaku
Paradokset nënkuptojnë situata me kundërthënie të mëdha në dukje. Dita e Çlirimit të Kosovës, si 12 Qershori, ka disa paradokse.
Paradoksi 1 – Data e hyrjes së KFOR-it apo largimit të ushtrisë e policisë jugosllave?!
A duhet të llogaritet çlirimi i Kosovës, në datën kur zbarkoi këmbësoria e forcave paqeruajtëse shumëkombëshe të sigurisë – KFOR-i, më 12 qershor 1999, të perceptuar si aleatë e shpëtimtarë të shumicës shqiptare apo data kur u larguan përfundimisht nga Kosova, forcat e ushtrisë e policisë jugosllave e serbe më 20 qershor 1999?!
Paradoksi 2 – Fillimi i largimit të ushtarëve apo largimi i ushtarit të fundit jugosllav?!
A duhet të vendoset si Ditë Çlirimi, data kur filloi procesi i largimit të ushtrisë së armikut, më 10 qershor 1999, apo data kur u largua ushtari i fundit nga radhët e armikut jugosllav, 11 orë para skadimit të afatit nga NATO, më 20 qershor 1999?! Madje, kam gjetur diku një shënim se, edhe kur skadoi 11-ditëshi, një grup ushtarësh jugosllavë në Podujevë, kishin kërkuar leje nga KFOR-i që të qëndronin edhe pak, deri sa t’i largonin nga Kosova, mjetet ushtarake që i kishin mbetur në rrugë, për shkak të avarisë e të mbesnin aty deri në riparimin e tyre.
Paradoksi 3 – Festë zyrtare 9 Maji, e Ditë Memoriale 12 Qershori?!
Si është e mundshme të jetë festë zyrtare në Kosovë, 9 Maji – Dita e Evropës, ndërsa nuk është festë zyrtare 12 Qershori si datë e memorizuar e çlirimit kolektiv, nga ndjenja e çlirimit kur janë hyrë trupat e KFOR-it në Kosovë dhe heqja e frikës më nga ushtria e policia jugosllave e serbe?! Një datë aq e rëndësishme për historinë e Kosovës dhe trasnformimet e mëdha në çdo fushë të jetës shoqërore, nuk është festë zyrtare, por është në kategori më të dobët ligjore, Ditë Memoriale, a nuk është paradoks unik?!
Paradoksi 4 – 12 Qershori si Ditë e Paqes, por jo Ditë e Çlirimit?!
Si mund të konsiderohet 12 Qershori – Dita e Çlirimit si Ditë e Paqes në Ligjin për Festat Zyrtare, kur çlirimi dhe paqja ndonëse janë dyjat të ndërlidhura, janë po aq të ndryshme me njëra-tjetrën?! 12 Qershori në Ligjin për Festat Zyrtare në Kosovë, jo vetëm që nuk konsiderohet festë zyrtare, por hyn në kategorinë e shpifur juridike me shumë paqartësi, si Ditë Memoriale. Pastaj, paradoksi tjetër, emërtohet jo sipas kujtesës kolektive dhe përjetimit të popullsisë lokale si Dita e Çlirimit, por si Dita e Paqes. Çlirimi dhe paqja, ndonëse dyjat janë pozitive, dallojnë dukshëm mes vete. Gjersa çlirimi është ndalje e rrezikut nga shtypja, kanosja e barbari të tjera, paqja është thjesht mungesë e dhunës, qetësi. Gjersa çlirimi ka për qëllim të sigurojë liritë personale të individëve dhe ato kolektive të komuniteteve, popujve e kombeve, paqja synon për stabilitet e harmoni. Çlirimi përveç dallimeve në defincion, qëllim, dallon nga paqja edhe në kontekst, rrethana. P.sh., çlirimi zakonisht vjen nga konteksti i rezistencës së armatosur, rebelimit, kryengritjes, luftës, konfliktit, ndërsa paqja mund të arrihet në shumë kontekste të larmishme, madje edhe për çdo ditë, jo domosdoshmërisht pas kontekstit të reagimit e rezistencës. Çlirimi dhe paqja dallojnë edhe për emocione dhe ndjenja. Çlirimi ofron entuziazëm, eufori, dalldi, gëzim të papërmbajtur, ndërsa paqja ndjenja më të zakonshme dhe motiv të zakonshëm të sigurisë. Çlirimi dhe paqja kanë veçori edhe në kohë. Paqja kërkon vazhdimisht të mbrohet dhe të arrihet, kurse çlirimi ose ndodh menjëherë, ose pas një kohe të gjatë.
Paradoksi 5 – Dita e Çlirimit si ditë pune, jo ditë pushimi e festimi?!
Si ia uron dikujt “Ditën e Çlirimit”, ndërsa jeni duke u nisur për të punuar, e jo për të festuar, ose pushuar, me përjashtime të disa vendeve të punës që nuk njohin kurrë ditë pushimi?!
Paradoksi 6 – 4 Korriku i SHBA-së, sesa 9 Maji evropian
Pse të mos jetë festë zyrtare më parë 4 Korriku i SHBA-së, sesa 9 Maji i Evropës, pasi që vullneti dhe vendosshmëria amerikane ishin determinuese për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, krahasuar me aleatët evropianë?!
Paradoksi 7 – Dita e Çlirimit, festë e relativizuar ligjore
Pse Ligji për Festat Zyrtare në Kosovë, e fut në një kategori të njëjtë Ditën e Çlirimit, që është mbi çdo festë tjetër, me festat e komuniteteve të ndryshme etnike, thua se çlirimi erdhi vetëm për një grup etnik, e jo për të gjithë?! Me Ligjin për Festat Zyrtare në Kosovë, 12 Qershori hyn në kategorinë e Ditëve Memoriale, bashkë me ditët e komuniteteve të tjera etnike. “Ditët memoriale janë:
a) 28 Nëntori, dita e shqiptarëve;
b) 12 Qershori, dita e paqes;
c) 6 Marsi, dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranët;
d) 23 Prilli, dita e turqve;
e) 8 Prilli, dita e romëve;
f) 15 Shkurti, dita e ashkalinjëve;
g) 28 Shtatori, dita e boshnjakëve;
h) 6 Maji, dita e goranëve.”
Nuk ka një përkufizim të qartë të Ditës Memoriale prej Festës Zyrtare, përveç që dyjat festohen, por në Ditët Memoriale, nuk do të thotë se ka pushim për të gjithë.
Paradoksi 8 – 12 apo 20 qershori si Dita e Çlirimit?!
A është 12 Qershori – Dita e Çlirimit, apo 20 Qershori?! Më 3 qershor 1999, parlamenti dhe qeveria e atëhershme jugosllave, kishin miratuar praninë ushtarake dhe civile ndërkombëtare në Kosovë dhe më 9 qershor do të arrihej Marrëveshja e Kumanovës, në mes të gjeneralit britanik dhe dy gjeneralëve jugosllavë e serbë. Më 10 qershor 1999, ditë e enjte, filloi largimi i trupave ushtarake, paramilitare dhe policore serbe nga Kosova. Në marrëveshje mund të shihej edhe harta në tri faza e tërheqjes, ku brenda ditës së parë deri në ditën e gjashtë, kërkohej tërheqja e ushtrisë, policisë dhe forcave të tjera jugosllave nga Rajoni i Dukagjinit, Prizrenit, Ferizajt etj. Në fazën II, brenda 9 ditësh, përfshiheshin Rajoni i Gjilanit, Prishtinës etj. Në fazën III, brenda 11 ditësh nga marrëveshja, nga Mitrovica e Podujeva, për shkak të koncentrimit të komunitetit serb në Veri. Më 20 qershor, ditë e diel, ishte dita e fundit për largimin e plotë të ushtrisë e policisë serbe nga Kosova. Sipas Steven Lee Myers, në artikullin “Serb Troops Complete Their Pullout From Kosovo”, më 21 qershor 1999 në Nju Jork Tajms, “forcat e fundit serbe nga rreth 40,000, u larguan nga Kosova të dielën, disa orë para afatit të NATO-s për tërheqje. Me tërheqjen e përfunduar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, njoftoi se kishte hequr kërcënimin e aleancës për të rifilluar bombardimet, duke i dhënë fund zyrtarisht një lufte ajrore 78-ditore…” Sipas burimit zyrtar të KFOR-it në Kosovë, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (UNSCR) u miratua më 10 qershor 1999 dhe më 12 qershor, elementët e parë të udhëhequr nga NATO, ose KFOR, hynë në Kosovë. Deri më 20 qershor, tërheqja e forcave serbe ishte e plotë. A duhet të jetë Dita e Çlirimit kur u larguan të gjitha forcat serbe nga Kosova, apo kur hyri KFOR-i dhe Perëndimi e mundi Jugosllavinë?! Në shumë vende, ditët e çlirimit janë bërë me arritjen zyrtare të një marrëveshjeje mes palëve, e jo pritja finale e zbatimit të saj të plotë.
Paradoksi 9 – 20 Qershori, a është Dita e Fundit të Kërcënimit të Jugosllavisë?!
Nëse më 20 qershor 1999, Javier Solana dha lajmin për ndalimin e çfarëdo kërcënimi të NATO-s për ish-Jugosllavinë, a i bie se 20 qershori është Dita e Fundit e Kërcënimit të Jugosllavisë, apo Dita e Gëzimit të ushtarëve jugosllavë e policë që u kthyen në shtëpitë e familjet e tyre në Serbi, siç ndodhi edhe pritja e tyre me entuzizaëm, thua se fituan, ndërsa u kthyen në shtëpitë e tyre si humbësit e mëdhenj?!
Paradoksi 10 – As 12 Qershori, as 20 Qershori, për serbët e Kosovës?!
Nëse më 20 qershor iku përfundimisht ushtria e policia jugosllave e serbe, për serbët e Kosovës, konsiderohet jo ditë e çlirimit, por ditë e pikëllimit. Por është e vështirë të gjesh një vend në botë që dita e çlirimit të përcaktohet nga çdo person e grup shoqëror, pasi gjithmonë në anën e një ish-armiku, pushtuesi, okupatori, agresori etj., ka individë a grupe shoqërore që e mbështesnin dikur atë, e pas humbjes së asaj pale, ndihen edhe ata e ato të humbur.
Paradoksi 11 – 12 Qershori si Dita e Çlirimit për serbët pas hyrjes së ushtrisë ruse në Kosovë?!
Nëse rusët konsideroheshin mbrojtës të serbëve në Kosovë, a e vlerësojnë serbët e Kosovës, ditë të çlirimit, ditën kur hynë rusët në Kosovë, në mëngjesin e hershëm të së shtunës, më 12 qershor 1999, para NATO-s, ngjashëm siç e festojmë ditën e çlirimit, shumica shqiptare, me rastin e zbarkimit të KFOR-it më 12 qershor?! A nuk është 12 Qershori, data e përshtatshme për të gjithë, për shqiptarët e të tjerët që ka hyrë KFOR-i, ndërsa për serbët, që kanë hyrë ushtarët rusë, në datën e njëjtë, veç me dallime në orë?! Bashkësia Ndërkombëtare, pikërisht për shkak të komunitetit serb dhe diplomacisë me Serbinë, e ka ushtruar presionin në ligjet për festat zyrtare në Kosovë, veçmas për festën e 28 Nëntorit, dhe Ditën e Çlirimit, 12 Qershorin, dyjat si festa që i urrejnë serbët, në vend se të jenë edhe festa zyrtare, janë vetëm Ditë Memoriale. Gjithashtu, ndërkombëtarët e serbët e ndërlidhin këtë ditë qershori edhe me frikën dhe hakmarrjen që përjetuan serbët në Kosovë pas 12 qershorit 1999, e veçmas deri në vitin 2000, për t’u rikthyer tensionet ndëretnike veçmas më 17 mars 2004, por edhe me tensionet e herëpashershme në komunat veriore të Kosovës.
Paradoksi 12 – A është një datë e çlirimit apo disa data të çlirimit?!
Dita e Çlirimit për Kosovën, konsiderohet 12 qershori, data kur për herë të parë zbarkuan me trupa tokësore shumëkombëshe, KFOR-i në Kosovë. Komuna e Prishtinës e feston Ditën e Çlirimit të Prishtinës, më 11 qershor. Ferizaj e Prizreni më 12 qershor. Gjakova më 14 qershor. Gjilani më 15 qershor. Peja më 16 qershor. Podujeva më 19 qershor. Mitrovica ishte në gjendjen më të rëndë edhe pasi u çlirua Kosova. Në të dielën e 20 qershorit 1999, serbët tentuan që përmes barrikadave, të krijonin një zonë me shumicë serbe në komunat veriore, që kishin vazhdimësi territoriale me Serbinë. A duhet të ketë një datë të përbashkët çlirimi për Kosovën, apo çdo komunë ta ketë datën e vet?! Natyrisht, në nivel kombëtar, çdo pjesë e vendit nëse është e pushtuar, është i pushtuar krejt vendi. Prandaj, data duhet të jetë e përbashkët për të gjithë. Po kush i prodhoi datat e ndryshme të çlirimit në komuna të ndryshme? Vetëm Marrëveshja e Kumanovës, e cila specifikonte largimin e ushtrisë, policisë dhe të gjitha forcave të tjera të (pa)sigurisë jugosllave nga Kosova, në tri faza, ku disa qytete ishin të parat për largim, kurse Mitrovica e Podujeva, për shkak të vazhdimësisë territoriale me Serbinë dhe veçorive të zhvendosjes së shumë serbëve në komunat veriore të vendit për shkaqe sigurie, u bënë komunat e fundit nga u larguan ushtarët e policët jugosllavë e serbë. Pra, një specifikim i fazave të tërheqjes në Marrëveshjen e Kumanovës, shkaktoi dhjetëra data të ndryshme të çlirimit të komunave të Kosovës.
Paradoksi 13 – A duhet të jetë data e çlirimit kur ka marshuar UÇK-ja nga malet e kodrat në zonat urbane të komunave të Kosovës, apo data kur ka marshuar KFOR-i në Kosovë?!
Ata që i japin përparësi faktorit të brendshëm, rezistencës së armatosur të UÇK-së, e llogarisin datë çlirimi, datën kur marshon uniforma kombëtare e çlirimtare e UÇK-së në zonat urbane të komunave të Kosovës dhe largohet uniforma jugosllave. Ata që i japin përparësi ndihmës ndërkombëtare, që e përmendin më parë NATO-n, SHBA-në dhe Perëndimin, sesa UÇK-në, i japin përparësi hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë. Pra, ka dallime ideologjike edhe në datat e çlirimit në Kosovë, ngjashëm siç ka konflikte në Shqipëri në mes të majtëve dhe të djathtëve për çlirimin e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. UÇK-ja e ka parë si aleat, NATO-n e KFOR-in, ndonëse KFOR-i përpiqej të fliste me terma të neutralitetit politik, ngase nuk e njihte Kosovën, por ishte për paqe dhe siguri për të gjithë pa dallim. UÇK-ja e nisi rezistencën në Kosovë, më parë se NATO me sulmet ajrore ndaj caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë. Me fjalë të tjera, NATO i dha përkrahje vendimtare trupave guerile të UÇK-së në tokë, duke e arritur një rezultat të njëjtë, pavarësisht motiveve e qëllimeve të ndryshme: largimin e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova. Gjëja tjetër më interesante është se, KFOR-i erdhi më 12 qershor. Aparati i dhunës jugosllave qëndroi në Kosovë deri më 20 qershor. Menjëherë pas kësaj date, KFOR-i nuk lejoi që UÇK-ja, të paktën simbolikisht më 21 qershor, të konsiderohej forca legjitime e sigurisë dhe e mbrojtjes në Kosovë pas largimit të ushtrisë e policisë mizore jugosllave, duke dhënë lajmin për demilitarizimin e UÇK-së. Më 21 qershor, dita e parë pas largimit të plotë të ushtrisë e policisë jugosllave nga Kosova, u nënshkrua marrëveshja e KFOR-it me udhëheqësit e UÇK-së, për demilitarizimin e plotë 90-ditor të UÇK-së, deri në shtator kur do të vendosej transformimi në TMK, si forcë kryesisht reaguese ndaj fatkeqësive natyrore, por edhe trajta elementare të fillimit të rrugëtimit të Kosovës për ushtri të saj. Nëse më 12 qershor, KFOR-i hyri në Kosovë, nëse më 20 qershor nga Kosova u largua ushtria e policia jugosllave dhe nëse më 21 qershor filloi demilitarizimi i UÇK-së, atëherë data e çlirimit nuk mund të merret data kur UÇK-ja marshoi drejt zonave urbane nga fshatrat e zonat e fshehura, sepse kjo do të thoshte se vetëm zonat urbane ishin të paçliruara, ndërsa fshatrat ishin çliruar më parë. Por në anën tjetër, UÇK i parapriu TMK-së, TMK-ja i parapriu FSK-së dhe FSK-ja në të ardhmen e afërt, pritet të shndërrohet në ushtri me kompetenca të plota të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. A nuk është pikërisht marshimi i UÇK-së në zonat urbane dhe ikja e ushtrisë serbe nga Kosova, data kur u çlirua Kosova, sepse në atë kohë u shfaq ajo që është karakteristikë e çlirimit: turma në rrugë, duke buzëqeshur, kënduar, bërtitur nga gëzimi, kthyer në shtëpi, duke përqafuar ushtarë të KFOR-it e të UÇK-së, me fjalë të tjera, Dita e Euforisë?!
Paradoksi 14 – Dita e Çlirimit, si ditë e zemërimit ndaj fshatarëve?!
Një grup i vogël individësh shqiptarë, nga zona urbane dhe me status të lartë social në ish-Jugosllavi, çlirimin e Kosovës, pas pak javësh, e panë me zemërim, nga stereotipat, paragjykimet dhe diskriminimi me bazë vendbanimin rural e rajonal. Kur u çlirua Kosova, ky grup individësh, e krijoi një emocion të përzier paradoksal, duke pohuar në druajtje: nuk u çliruam, por u “pushtuam” nga fshatarët. Me fjalë të tjera, për këtë grusht të vogël personash, në ish-sistemin jugosllav që po shpërbëhej ishin akomoduar mirë; e pëlqenin që kishte ndarje edhe më strikte klasore, arsimore, urbane-rurale, prandaj marshimi i disa guerilëve në zonat urbane pas çlirimit dhe lirisë, uzurpimi nga dikush i pronave dhe objekteve shtetërore, migrimi në rritje i tipit rural-urban, zgjerimet e qyteteve, vetëm krijuan zhgënjim pas çlirimit, duke e bërë ndërlidhjen e gabuar të ndryshoreve. Për këtë grup të vogël individësh, kryesisht nga zonat më të zhvilluara urbane, Dita e Çlirimit nuk ishte çlirim, por “robërim nga katunarët”.
Paradoksi 15 – Jo Dita e Çlirimit, por Ditët e Çlirimit?!
A mund të propozojmë që në vend të diskutimit për Ditën e Çlirimit, të diskutojmë për Ditët e Çlirimit, pasi që çlirimi zyrtarisht u vulos me Marrëveshjen e Kumanovës, 9 qershor 1999, vazhdoi me fillimin e tërheqjes së ushtrisë e policisë jugosllave e serbe nga Kosova nga 10 qershor e deri më 20 qershor, duke e caktuar festimin prej 9 deri 20 qershor. 11 ditë në festë, sa ishte edhe afati i largimit të ushtrisë serbe nga Kosova. Nëse do të ishte për 11 ditë, do të krijonte shpenzime më të mëdha financiare, energji maksimale në organizim institucional dhe jashtë tij dhe nëse do të përcaktohej festë zyrtare, atëherë do t’i binte 11 ditë pushim, që do të kishte efekt në shumë organizata e institucione. Zakonisht një ditë e datë çlirimi është e zakonshme, efektive, praktike dhe me kosto më të ulët.
Paradoksi 16 – A diskutohet për ditë e data, kur veçse jemi çliruar?!
Është paradoks më vete edhe po të diskutojmë për këto teknikalitete datash e ditësh të çlirimit, për ta zbehur mirënjohjen dhe kujtimet më të mira për periudhën e çlirimit të Kosovës nga regjimi shtypës jugosllav. Çlirimi i Kosovës në qershor 1999 është çasti më fatlum i historisë së shqiptarëve të Kosovës dhe atyre që jetojnë në shtetet përreth e në mërgatë e diasporë. Kur e dimë sot se sa e vështirë është çlirimi i një populli e krijimi i një shteti të ri, dita e çlirimit është dita më e rëndësishme në historinë tonë kolektive. Kosova është transformuar rrënjësisht nga qershori 1999, dhe mbi të gjitha, liria e fituar, është arritja më e papërsëritshme, pavarësisht disa paradokseve të datave që duken kontradiktore. Prandaj, Dita e Çlirimit, qoftë më 9 qershor me Marrëveshjen e Kumanovës që u detyrua regjimi jugosllav të pranonte të ikte nga Kosova, qoftë më 10 qershor që filloi ngapak largimi i ushtrisë serbe, qoftë më 12 qershor kur hyri edhe KFOR-i, qoftë më 20 qershor si datë e fundit e largimit të plotë të ushtrisë jugosllave, duhet të jetë festë zyrtare, e jo Ditë Memoriale. Duhet të ndryshohet menjëherë Ligji për Festat Zyrtare. Nëse e marr kriterin e euforisë kolektive, entuziazmit dhe dalldisë së përqafimeve, këndimit, valleve në rrugë e kudo, atëherë mbetet 12 qershori, sepse më 12 qershor kur hyri KFOR-i, shqiptarët, përfundimisht, më nuk ia kishin frikën asnjë ushtari e polici serb, qofshin edhe duke gjuajtur gjatë rrugës së ikjes për në Serbi, si shenjë e humbjes së luftës, prandaj ky është kriteri më i rëndësishëm siç e ka përjetuar popullata, e jo datat me analiza të hollësishme.