Parregullsitë në komunikacion që shkaktojnë aksidentet po marrin jetën e shumë qytetarëve në Kosovë.
Viti 2018, ishte viti ku në aksidente në komunikacion vdiqën saktësisht 124 persona, shkruan lajmi.net.
Ndërsa masat e rrepta të hartuara nga Policia e Kosovës për shkelësit e rregullave në komunikacion nuk po kryejnë punë dy mujorin e parë të vitit 2019.
Përgjatë këtyre dy muajve, në komunikacion kanë vdekur 16 persona, duke përfshirë edhe 2 persona që u goditën nga treni.
Në muajin janar të vitit 2018, kishte 4 aksidente fatale me 6 persona të vdekur, derisa në janarin e vitit 2019, kanë ndodhur 7 aksidente me fatalitet nga të cilat 7 persona kanë humbur jetën.
Po në këtë muaj kanë ndodhur 348 aksidente me lëndime, nga të cilat kanë përfunduar të lënduar 654 persona.
Numri total i aksidenteve, duke përfshirë edhe ato me dëme materiale shkon në 1172, ndërsa janë shqiptuar saktësisht 29422 gjoba në komunikacion.
Edhe muaji shkurt është përcjellur me shumë aksidente.
Gjatë këtij muaji, kanë ndodhur 4 aksidente me fatalitet, nga të cilat të vdekur kanë mbetur 7 persona.
Aksidenti më i rëndë ishte ai në Zhur të Prizrenit ku mbetën të vdekur 3 persona të së njëjtës familje.
E në Pejë, si pasojë e goditjes nga treni, ka vdekur një 51 vjeçar rreth orës 06:00 të mëngjesit derisa po kalonte hekurudhën.
Një i ri tjetër në Prishtinë ka vdekur në QKUK pas lëndimeve të marra nga goditja e trenit afër kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë.
Numri i aksidenteve me të lënduar gjatë këtij muaji ishte 425, ndërsa Policia e Kosovës gjatë muajit shkurt ka shqiptar saktësisht 36,543 gjoba.
Shkaqet më të shpeshta të aksidenteve në komunikacion janë si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë, por gjithashtu alarmuese janë rastet e goditjes së këmbësorëve.
Hartimi i strategjive nga ana e Policisë së Kosovës për të zvogëluar rastet e tilla të parregullsive në komunikacion që çojnë deri në aksidente nuk po rezulton të jetë edhe shumë i suksesshëm.