Një histori e pretendimeve për “shitjen e fëmijës” para 16 vjetëve është rikthyer në llupën e hetuesisë që disa javë me parë. N.A. nga Komuna e Gjilanit, sipas hetuesisë, pas rreth 16 vjetëve që ka lindur fëmijën e saj të parë e ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj që fëmijën e pati shitur pa pëlqimin e saj.
Gruaja, e cila tashmë e ka rifilluar jetën jashtë Kosovës, sipas informatave që ka gazeta, është rikthyer në Kosovë që përmes drejtësisë ta rikthejë fëmijën e saj dhe të denoncojë ata që ajo i ka denoncuar për shitjen e foshnjës para 16 vjetëve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Burime të gazetës brenda hetuesisë kanë thënë se kjo nënë në Prokurorinë Themelore në Gjilan ka deponuar një denoncim, ku pretendon se ish-bashkëshorti i saj pa lejen e saj ia ka rrëmbyer fëmijën për t’ia dhënë një familjeje tjetër.
“Foshnja pasi është lindur, nuk kanë kaluar as 24 orë dhe ende pa dalë nga spitali foshnja i është marrë dhe i është dhënë një çifti nga Presheva”, ka thënë një burim i hetuesisë për atë çfarë ka rrëfyer kjo nënë, e cila e akuzon ish-bashkëshortin për disa vepra penale.
Sipas hetuesisë, pak muaj pas lindjes kjo grua është ndarë nga bashkëshorti i saj.