Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës njoftohet nga spitalet për të miturat që dërgohen në këto institucione shëndetësore për të lindur.
Por ka edhe raste kur të miturat mbesin shtatzënë si pasojë e keqtrajtimit seksual.
Disa raste të tilla kanë ndodhur së fundmi në Gjilan, ndërkohë që rasti i fundit është denoncuar gjatë ditës së sotme.
Burimet e Sinjalit nga Spitali Rajonal në Gjilan kanë bërë të ditur se një vajzë e mitur, e moshës 17-vjeçare është pranuar shtatzënë në repartin e Gjinekologjisë në këtë spital, sot në mëngjes.
Sipas të njëjtave burime, vajza ka mbetur shtatzënë si pasojë e marrëdhënieve seksuale që ka kryer me një 18-vjeçar.
Pasi vajza është pranuar për trajtim mjekësor, Policia është vënë në dijeni për rastin, me ç’rast njësitet policore janë aktivizuar dhe kanë identifikuar personin e dyshuar, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetime për veprën penale “Dhunimi”.
Kujtojmë se një rast i tillë tronditës është raportuar të ketë ndodhur edhe në komunën e Vitisë, ku një vajzë 13-vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një 20-vjeçar në muajin shkurt, por është raportuar në muajin shtator.
Lidhur me rastin ishte rrëfyer edhe babai i të miturës, i cili kishte deklaruar se kjo ngjarje e rëndë ka tronditur familjen.