Sot janë finalizuar 51 kontrata për 51 përfitues të Fondit për Ndërmarrësi, një ndër nismat më të suksesshme të Komunës së Gjilanit në përkrahje të të rinjve dhe grave që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes biznesit.
Shuma totale e shpërndarë kap vlerën prej +181,251.76 euro, të cilat do të shërbejnë si mbështetje konkrete për krijimin ose zhvillimin e bizneseve vendore.
“Ky është një nga angazhimet tona të përmbushura që nga fillimi i mandatit dhe do të vazhdojë të thellohet edhe në katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë. Me këtë fond, ne nuk vetëm po mbështesim idetë e guximshme, por po ndërtojmë një Gjilan me ekonomi aktive dhe mundësi të reja për çdo qytetar,” ka deklaruar Kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Fondi për Ndërmarrësi është tashmë model në nivel lokal në të gjithë Kosovën, duke u fokusuar në fuqizimin ekonomik të rinisë dhe të grave, si dy kategori me potencial të jashtëzakonshëm për transformimin e shoqërisë sonë.