Banorët e brezit kufitar do të protestojnë më 2 shtator në shenjë pakënaqësi me vendimin për mbylljen e nëntëmbëdhjetë shkollave fillore në Komunën e Kamenicës.
“Në mesin e 19 shkollave për të cilat kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka marrë vendim me i mbyll është edhe Shkolla Fillore ‘Asllan Thaçi’, me 100 nxënës në Karaçevë të Poshtme. Në listë të mbylljes është edhe shkolla ‘Avni Rrustemi’ me 102 nxënës në Karaçevë të Epërme. Mbyllja e këtyre shkollave është shqetësuese për banorët e Karaçevës, prandaj nuk do të lejojmë të ndodhë kjo. Do të jemi këmbëngulës në këtë drejtim dhe nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të arritur sukses. Është marrë vendim që më 2 shtator të protestojmë kundër mbylljes së shkollave shqipe, posaçërisht në brezin kufitar në Karaçevë. Qytetarët e Komunës së Kamenicës do të vihen në mbrojtje të shkollave të tyre dhe kjo është e vetmja mundësi për t’i mbrojtur ato”, ka deklaruar Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Karaçevë e Poshtme, Selver Lenjani
Kurse kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë për gazetën Epoka e re se nuk ka mbyllje të shkollave, por riorganizim të tyre.