Foto: Ilustrim
Gjykata Themelore në Gjilan, e ka dënuar me dy vite burgim efektiv, G.G., i cili nga prokuroria akuzohej se në shkurt të vitit të kaluar në Xhaminë e Medresesë në Gjilan, duke e përdorur forcën, me një shufër metalike e ka hapur kasafortën (arkën) e metaltë, e cila kishte qenë e ngjitur për muri dhe nga aty ka vjedhur të hollat që gjendeshin brenda.
Një vendim të tillë, kjo gjykatë e ka marrë më 28 janar të këtij viti, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, pasi i akuzuari e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.
Ndërkaq, ky aktgjykim i siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, është përpiluar më 1 shkurt 2022, nga gjykatësi Rilind Sermaxhaj.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 mars 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj G.G., me arsyetimin se ai në shkurt të 2021-ës, në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka hyrë brenda hapësirave të Xhamisë të Medresesë në Gjilan dhe me dashje duke e përdorur forcën, me një shufër metalike e ka hapur kasafortën (arkën) e metaltë, e cila kishte qenë e ngjitur për muri dhe nga aty ka vjedhur të hollat në vlerë të papërcaktuar, të cilat kishin qenë në të, dhe më pas pa u hetuar nga askush largohet nga vendi i ngjarjes, e që xhamisë në fjalë i shkakton dëm material.
Me këtë, G.G. akuzohej se ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”, nga neni 315, paragrafi 2, nënparagrafi 2.2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.