Nga data 08.02.2020 deri me 20.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 340 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e një raste kanë rezultuar pozitive.
Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.006 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 339 thirrje telefonike.
Nga data 01.02.2020 deri me 19.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 14.442 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 4.882, Vërmicë 3.832, Jarinje 929, Dheu i Bardhë 891, Hani i Elezit 1.430, Kullë 822, Qafë Morinë 47, Bërnjak 414, Qafë Prush 35, Muçibabë 144 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetëizolim shtëpiak.
Ekipet e QRShP në rajonet përkatëse janë në terren dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontakteve të rasteve pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive.
Në IKShPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 246,181 raste të COVID-19 me 10,049 raste të vdekjes. Numri më madhi rasteve raportohet nga Kina (80.967), Italia (41.035), Irani (18.407), përderisa në BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar gjithsej 111.573 raste të COVID-19: Itali (41.035), Spanjë (18.077), Gjermani (15.320), Francë (10.995), Mbretëri të Bashkuar (3.269), Holandë (2.460), Austria (2.196), Belgjikë (1,795),Greqi (464), Turqi (359), Serbi (118), Kroaci (110), Shqipëri (64), Maqedoni e veriut (50).
Deri me 20 mars 2020 nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të bashkuar janë raportuar 5.025 raste të vdekjes: Itali (3,405), Spanjë (831), Francë (372), Mbretëri të Bashkuar (144), Gjermani (44), Belgjikë (21), Poloni (5), Greqi (6), Danimarkë (46, Norvegji (7) Austri (6), Luksemburg (4), Turqi (4), Bullgari (3), Irlandë (3), Shqipëri (2) dhe Hungari (1).
NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!
APEL MEDIAVE, JU LUTEMI TË BASHKËPUNONI ME NE, ME QËLLIM TË MOS KRIJIMIT TË PANIKËS NË POPULLATË!
IKShPK shpreh shqetësimin për lëvizjet e shumta dhe grumbullime të qytetarëve në qytet, parqe dhe vende rekreative të hapura, të cilat mund të rrezikojnë shëndetin e popullatës dhe përhapjen e COVID-19, e cila aktualisht është e lokalizuar.
NË MËNYRË RIGOROZE MBANI DISTANCËN SOCIALE PËR 2 METRA NGA NJËRI TJETRI!
NDALOHEN TË GJITHA TUBIMET PËR AHENGJE, CEREMONI MORTORE DHE FETARE!
Por, nëse nuk u përmbahemi masave të rekomanduara më herët nga MSh dhe IKSHPK për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikojmë të kemi përhapje komunitare.
TA PARANDALOJMË KËTË!
QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!
Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
1. IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:
• Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!
• Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
• Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!
• Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Lani duart porsa hyni në shtëpi!
• Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
• Lani duart pas përdorimit të tualetit!
• Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!
• Evitoni përdorimin e tualeteve publike!
• Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
• Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!
• Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!
• Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!
• Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
• Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
Ju faleminderit për mirëkuptim!