22 persona janë arrestuar në operacionin anti-drogë të Policisë së Kosovës me kërkesë të Prokurorisë Speciale të martën i zhvilluar në disa rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit.
Në këtë operacion siç bëhet e ditur në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë është shkatërruar një grup i krimit të organizuar dhe të trafikimit me narkotik.
Angazhimi dhe puna e koordinuar, e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe PSRK-së, ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë, ku janë arrestuar 22 persona. Personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC’”, thuhet në komunikatë, përcjell teve1.info
Në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve, dhe arrestimin e personave të dyshuar.
“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.
Operacioni i koduar “Qielli i Thyer”, është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europol-it, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimi të urdhër kontrollit.
PSRK, dhe Policia e Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë, duke theksuar angazhimin në luftimin dhe parandalimin e këtyre veprave penale, dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e shkelin ligjin.