Shefi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare, Agron Çitaku, ka njoftuar se të paktën 24 persona janë lënduar si pasojë e mjeteve piroteknike gjatë natës së ndërrimit të moteve.
Nga 24 rastet e lajmëruara, ai ka thënë se më i rëndi është ai i Prizrenit, nga zjarri që shpërtheu në një pikë shitjeje.
Çitaku ka thënë se janë shtatë-tetë raste që janë ndalur në Prizren për trajtim.
“Gjendje shumë e rëndë dhe është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka. Ai fatkeqësisht është gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë shtatë-tetë raste që janë ndalur në Prizren. Lëndimet kanë qenë të mëdha praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, të kokës dhe fytyrës”, ka thënë ai.
Tre nga 24 rastet e trajtuara kanë pësuar lëndime në regjionin e syrit, ndërsa të tjerët në ekstremitete.