Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kujtuar në 24 vjetorin e vdekjes së tyre, Fehmi e Xhevë Lladrovcin, për të cilët tha se ishin ndër figurat kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti i kujtoi edhe Fatime Hetemin e Shefqet Zekën,të cilët ishin vrarë nga forcat serbe në të njëjtën ditë.
“Sikur sot, 24 vite më parë, më 22 shtator 1998, bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, ata u përballën disa orë rresht me njësite të tëra serbe në Gradinë. E ngjizur nga dashuria dhe e mbushur me ideale kombëtare e veprimtari politike, lidhja e Fehmiut dhe Xhevës u përmbyll njëkohshëm më 22 shtator 1998, kur të dy bashkë ranë dëshmorë duke luftuar përballë trupave serbe. Atë ditë, bashkë me ta ranë dëshmorë edhe Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.
Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, janë ndër figurat kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si të tillë, bashkërisht, ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës, asaj historie që ata e kanë bërë dje, kurse neve na takon ta kujtojmë e shkruajmë sot.
Lavdi Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit për veprën e tyre patriotike që e jetuan bashkë, lavdi Fatime Hetemit e Shefqet Zekës dhe të gjithë dëshmorëve që ranë në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës!”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.