Policia e Kosovës po e shënon 25 vjetorin e themelimit me aktivitete të ndryshme. Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm personalitetet e larta shtetërore, menaxhmenti i lartë i PK-së, si dhe personalitete të agjencive të sigurisë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet me të besueshme në vend.
Në ceremoninë qendrore për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë, Osmani ka thënë se puna e tyre ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji.
“6 shtatori shënon një moment të rëndësishëm të Policisë sonë, një ditë që nuk është vetëm një festë e institucionit por nderim për sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit, sigurisë dhe sovraniteti tonë. Policia, gjatë këtij çerek-shekulli, vazhdon të jetë një nga institucionit më të besuara e të rëndësishme të shtetit tonë. Puna juaj ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi e qetësia”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka kujtuar edhe 23 policët e rënë në detyrë, dhe policin e fundit Afrim Bunjaku, trimëria e të cilëve, siç tha ajo i frymëzon të gjithë.
“Nuk mund të flasim për Policinë e Kosovës pa përmendur policët e rënë në detyrë. Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, i fundit është Afrim Bunjaku, trimëria e të cilëve na frymëzon të gjithëve. Ai bashkë me shumë të tjerë bëri sakrificën më te madhe për vendin tonë. Trashëgimia e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri jeton në vlerat që ju pjesëtarët e Policisë së Kosovës i bartni çdo ditë”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe të jetë e gatshme tu përgjigjet edhe kërcënimeve të reja, në një ambient gjithnjë e më kompleks. “Në kohë krize edhe sfidash duhet të qëndroni të palëkundur, për sigurinë e shtetit tonë , të ndërtuar me aq mund e sakrificë”, ka theksuar Osmani.