Kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur sërish në Prokurorinë Speciale për intervistim lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore, ndonëse kësaj radhe kishte edhe urdhër nga Gjykata. Në kohën që ishte paraparë të intervistohej, ai shkoi në Gjilan për vënien e gurthemelit të nje çerdhje. Por, çka e pret Kurtin nëse nuk paraqitet sërish për intervistim?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se prokurorët do të duhej të kërkonin nga Gjykata që t’i shqiptojë gjobë dhe që ta obligojë të japë dëshminë. Për secilën herë që ai refuzon t’i përgjigjet ftesës për intervistim, gjoba është 250 euro. Miftaraj shton se nëse Kurti insiston për të dhënë mos dhënë dëshminë, aëherë Gjykata mund t’i shqiptojë deri në 30 ditë burgim për mosrespektim të urdhrave të saj.
“Nëse insiston për të mos dhënë dëshminë, atëherë Gjykata mund t’i shqiptojë deri në 30 ditë burgim për mosrespektim të urdhërave. Gjoba është çdo herë nga 250 euro sa herë refuzon me iu përgjigj ftesës së Prokurorisë, apo në këtë rast urdhrit të gjykatës”, ka thënë Miftaraj.
Sipas Miftarajt, veprimet e Kurtit janë e kundërta e asaj çka ka premtuar vitet e fundit.
“Kryeministri Kurti po bën të kundërtën e asaj që ka premtuar në 4-5 vitet e fundit, për të promovuar sundimin e ligjit, për të promovuar qeverisjen e mirë, për të respektuar institucionet e shtetit. Ajo që po bën Kryeministri Kurti është duke shkelur në radhë të parë Kushtetutën e Kosovës, mbi ligjet e Kosovës dhe duke I dhënë ndoshta të themi shkelmin e fundit sistemit të drejtësisë”, thotë Miftaraj.
Prokruria Speciale ka lëshuar një reagim pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpërfilli ftesën për intervistim. Aty thuhet se do të ndërmarrin hapat tutje sikurse në të gjitha rastet tjera duke respektuar ligjin në fuqi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti para mediave ka insistuar që të intervistohet në zyrën e tij, në Kryeministri. Kurti tha se jo vetëm që ka qenë i gatshëm por edhe i interesuar të dëshmojë, ndërsa përmendi edhe oraret që i pati caktuar Prokurorisë kur mund të shkonin në zyrën e tij për ta intervistuar.
Ai tha se edhe në të kaluarën ka ndodhur kur prokurorët apo hetuesit kanë shkuar në zyre të kryeministrave për t’i intervistuar.
“Së pari unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi apo se refuzoj të japë dëshmi, përkundrazi kam thënë jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër kam shkruar letrën në të cilën kam treguar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë në zyren e Kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën, kur prokurorët dhe hetuesit kanë ardhur për kryeministra, jo vetëm si dëshmitarë por edhe si të pandehur. Prandaj nuk ka arsye që kjo të mos vazhdohet. pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim, dhe të jepet dëshmia nga ana ime”, tha Kryeministri para gazetarëve.
Sipas tij, po të ishte Prokuroria e interesuar aq shumë, do të shkonte në zyren e tij të merrte dëshminë, por që siç tha ai s’janë të interesuar për të sjellë drejtësi, ndërsa shtoi sërish se vazhdon të jetë i gatshëm për intervistim.
“Nëse Prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time ajo do të vinte tek ne. Një Prokuror që e ka synim dëshminë e dëshmitarit, ai nuk humb kohë. Pse i humbi prokruroria tre muaj? Për boindjen time të fuqishme, pasi është e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjell drejtësi”
“Kurrë Prokuroria ska qenë më e lirë, lirinë po e keqpërdor për ta lufutar qeverinë dhe kjo krimin e korrupsionin. Unë jam i gatshëm dhe kam qenë gjithmonë i interesuar”, tha Kurti para gazetarëve në Gjilan, ku mori pjesë në vendosjen e një gurëthemeli të një çerdheje. /Reporteri.net/