Nesër mbi 26 mijë maturantë kosovarë do t’i nënshtrohen Testit të Maturës, e përgatitjet që ky testim të zhvillohet tashmë i kanë bërë edhe Komunat e Kosovës dhe Ministria e Arsimit.
Ministria e Arsimit e Kosovës ka njoftuar se testi do të zhvillohet në 184 qendra testuese në të gjithë vendin, e në secilën klasë për shkak të mbrojtjes nga virusi COVID-19 nuk do të lejohen më shumë se 12 nxënës e që të gjithë duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse. Për të njëjtën arsye, këtë vit testimi do të jetë vetëm në një ditë, ku nxënësit do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë me pragun e kalueshmërisë prej 40 pikëve.
Për administrimin e Testit të Maturës, sipas ministrisë janë angazhuar mbi 2 mijë e 500 administrues, derisa do të largohen nga testimi ata nxënës që do të zihen me telefona në qendrat e testimit.
Komunat kanë bërë përgatitjen që objektet shkollore të jenë të dezinfektuara dhe të jenë të pajisura me dezinfektues për nxënësit e personelin tjetër që do të jenë në qendrat e testimit.
Por, Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka marrë vendim që për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, Testi i Maturës të mbahet me masa të shtuara të kujdesit për ruajtjen e shëndetit të të gjithë pjesëmarrësve në këtë proces.
“Prandaj, duke marrë parasysh këtë fakt, ditën e testimit, pra të shtunën (29 gusht 2020), u ndalohet hyrja nëpër qendra të testimit të gjithë personave që nuk janë pjesë e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa, mediet mund të kenë qasje nëpër qendra të testimit, në koordinim me komisionin e qendrës së testimit, deri në orën 09:30.