Në mbrëmjen e 24 marsit 1999 – avionët luftarakë të NATO-s i hodhën bombat e para mbi forcat serbe në Jugosllavinë e atëhershme. Qëllimi ishte ndalimi i dhunës ndaj shqiptarëve në Kosovë. Si erdhi deri tek kjo ndërhyrje?
24 mars 1999: NATO bomardon Jugosllavinë e atëhershme të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Është kjo lufta e parë në historinë 50-vjeçare të NATO-s kundër një shteti të pavarur. NATO-ja synon t’i japë fund dhunës së presidentit serb Sllobodan Millosheviq ndaj shumicës shqiptare në Kosovë.
Si erdhi deri te bombardimi?
Që nga fundi i Luftës II Botërore, Jugosllavia ishte një shtet federal socialist i përbërë nga gjashtë republika: Sllovenia, Kroacia, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Prej vitit 1974, kishte edhe dy krahina autonome: Vojvodina dhe Kosova.
Në Kosovë shqiptarët përbënin 80% të popullsisë, ndërsa serbët pretendonin se Kosova ishte “djepi i Serbisë”. Në vitin 1989, Millosheviqi ia hoqi autonominë Kosovës. Tensionet etnike u shtuan. Kujt i takon Kosova? Pas dekadash rezistence paqësore nga shqiptarët, në vitin 1996, u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo ishte organizatë e armatosur që luftonte kundër reprezaljeve të Serbisë. Ushtria serbe kundërpërgjigjet me sulme masive. Në verën e vitit 1998 në Kosovë filloi lufta.
Vendet e huaja duhet të ndihmojnë për të gjetur një kompromis dhe për t’i dhënë fund luftës. SHBA, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Gjermania i ftojnë palët në negociata në Rambuje afër Parisit. Plani është të arrihet një marrëveshje e përkohshme për autonominë e Kosovës. Pas disa takimeve në Francë dhe një vizite përfundimtare të diplomatit amerikan Richard Holbrooke në Beograd, negociatat dështuan. Jugosllavia nuk dëshiron ta nënshkruajë marrëveshjen.