Më 21 prill 1999, në betejën e përgjakshme të Marecit, në lagjen e Bullovitëve, ra heroikisht dëshmori Ibrahim Uruqi, i njohur me emrin e “Hushi” siç e quanin bashkëluftëtarët.
Ai u flijua në një nga betejat më të ashpra kundër ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, duke u bërë një nga figurat më të ndritura të rezistencës për lirinë e Kosovës.
Me guxim të pashoq dhe me një dashuri të pakushtë për vendin, Hushi u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë gjithçka nga vetja për lirinë e atdheut.
Para se të merrte armën në dorë, Ibrahim Uruqi ishte një veprimtar i palodhur në shërbim të kauzës kombëtare. Ai shquhej për shpirtin e tij rebel, për guximin qytetar dhe për vizionin e qartë për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Shkruante parulla nëpër çdo cep ku i jepej mundësia, ku mesazhet e tij të qarta dhe të fuqishme thërrisnin për liri: “Ne do të luftojmë deri në frymën e fundit për këtë tokë të Kosovës.” Ishin fjalë që në atë kohë përbënin akt trimërie, por që për Ibrahim Uruqin ishin një thirrje e brendshme që buronte nga thellësia e zemrës.
Ibrahim Uruqi nuk luftoi për lavdi personale apo për të qenë pjesë e ndonjë historie. Ai luftoi për ideal. Ai besonte thellësisht se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak e sakrificë. Këtë ideal ai e mishëroi në çdo hap, në çdo veprim dhe në fund, e vulosi me jetën e tij. Ishte njeri i urtë, por i pathyeshëm kur bëhej fjalë për të drejtat e popullit të vet.
Pas vetes, Hushi la bashkëshorten dhe dy fëmijë – Albulenën dhe Endritin. Dy fëmijë që u rritën me krenarinë e madhe se babai i tyre dha jetën për lirinë që sot e gëzon i gjithë kombi. Edhe pse humbja e tij ishte e rëndë për familjen, ajo u kthye në krenari kombëtare, sepse vepra e Hushit nuk vdes kurrë.
Në nderim të figurës së tij madhështore, në fshatin Bresalc është ngritur një lapidar në oborrin e shkollës fillore që mban emrin e tij – “Ibrahim Uruqi”. Ky institucion arsimor tashmë është bërë një tempull i dijes dhe kujtesës, ku gjeneratat e reja rriten me shembullin e sakrificës dhe trimërisë që la pas dëshmori. Nxënësit që mësojnë aty çdo ditë, e lexojnë emrin e Hushit dhe frymëzohen nga jeta dhe vepra e tij.
Në historinë tonë të re, Ibrahim Uruqi – “Hushi” mbetet një nga emrat më të ndritshëm. Ai është dëshmia më e qartë se liria e Kosovës nuk u arrit rastësisht, por me mund, gjak dhe jetë të dhëna në altarin e atdheut. Sot, kur jetojmë në një vend të lirë, nuk duhet të harrojmë kurrë ata që e bënë këtë liri të mundur./Radio Star/